Pilotja kosovare Lisjeta Thaqi ka shkëlqyer në serinë e dytë të Paragliding Accuracy World Cup, e mbajtur në Maqedonia e Veriut, duke triumfuar me vendin e parë në kategorinë e femrave.
Me një performancë të qetë, të saktë dhe në nivel elitar, Thaqi arriti të lërë pas shumë emra të njohur të këtij sporti, duke ngritur flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky sukses vlerësohet si rezultat i punës së vazhdueshme, përkushtimit dhe profesionalizmit që ajo ka dëshmuar në garat ndërkombëtare.
Suksese të rëndësishme regjistruan edhe pilotët tjerë kosovarë. Migjen Shala u rendit në vendin e katërt në klasifikimin e përgjithshëm, ndërsa Fanol Shala dhe Lisjeta Thaqi ndanë vendin e pestë në botë.
Rezultatet e fundit konfirmojnë ngritjen e vazhdueshme të Kosovës në sportin e paragllajdingut, me sportistët kosovarë që po rivalizojnë dhe mposhtin elitën botërore në garat ndërkombëtare.
