UBT News

​Suedia shkarkon trajnerin pas humbjes me Kosovën

Duket se humbja e Suedisë ndaj Kosovës ka qenë pika e fundit për trajnerin Jon Dahl Tomasson, sepse Federata Suedeze e Futbollit ka vendosur ta shkarkojë trajnerin danez nga detyra e përzgjedhësit të kombëtares.

Suedia ka vetëm një pikë pas katër ndeshjeve në kualifikueset e Kupës së Botës dhe ndodhet në vendin e fundit të grupit, që kryesohet nga Zvicra.

“Vendimi i marrë nga Shoqata Suedeze e Futbollit bazohet në faktin se ekipi kombëtar i meshkujve nuk ka dhënë rezultatet që shpresonim. Ende ka një shans për një ndeshje eliminatore në mars dhe përgjegjësia jonë është të sigurohemi që të kemi kushtet më të mira të mundshme për të qenë në gjendje të arrijmë në finalen e Kupës së Botës. Në këtë drejtim, ne besojmë se kërkohet një udhëheqje e re në formën e një trajneri të ri të kombëtares,” deklaroi Simon Åström, kryetar i SvFF.

Tomasson mori drejtimin e ekipit në mars të vitit 2024 dhe gjatë kësaj periudhe ka arritur nëntë fitore gjithsej.

Sipas raportimeve, ish-lojtari Kim Källström ka njoftuar futbollistët e kombëtares për vendimin dhe emrat që përfliten si zëvendësues të mundshëm janë Graham Potter, Olof Mellberg dhe Peter Gerhardsson.

Suedia ka edhe dy ndeshje të mbetura në kualifikueset e nëntorit, ndaj Zvicrës dhe Sllovenisë./S.K/KP/

Exit mobile version