UBT News

Subvencionet e QKK-së: Tre filma artistikë që do t’i mbushin kinematë në 2025

Tre filmat “Lost Frames”, “Adet” dhe “Lumi” janë shpallur fitues në kategorinë Filmi i metrazhit të gjatë artistik në konkursin vjetor të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) për subvencionimin e projekteve filmike për vitin 2025.

“Lost Frames”, me producent Valon Bajgora dhe regjisor e skenarist Samir Karahoda, ka marrë mbështetjen më të lartë financiare, në vlerë 303,000 euro.

Filmi “Adet”, i prodhuar nga N.SH. CMB, me producent Shkumbin Istrefi, regjisor Mentor Shala e skenariste Lyra Xhoci, u subvencionua me 280,000 euro.

Filmi i tretë fitues, “Lumi”, i prodhuar nga ASHA SH.P.K., me producent Alban Zogiani dhe regjisor e skenarist Edon Rizvanolli, ka përfituar 230,000 euro.

Këto projekte u përzgjodhën pas konkursit publik të QKK-së, të hapur më 22 maj 2025, ku u dorëzuan 126 aplikime në 11 kategori të ndryshme filmike.

Pas procesit të vlerësimit profesional, Komisioni financiar i QKK-së miratoi mbështetjen për gjithsej 48 projekte filmike.

Juria ndërkombëtare e përzgjedhjes ishte e përbërë nga: Gentian Koçi, Hassan Oswald, Roshanak Behesht Nedjad, Soňa Morgenthalová, Visar Morina, Dea Gjinovci, Eneos Çarka, Iber Deari, Sevdije Kastrati dhe Shpëtim Selmani.

Ndërsa Komisioni financiar, në përbërje të Ilir Gjocaj, Fitim Shala dhe Virgjina Peja, ka aprovuar përfundimisht listën e projekteve që do të subvencionohen gjatë vitit 2025. /A.Z/UBT News/

 

 

 

 

Exit mobile version