UBT News

Suad Pajaziti në ekipin më të mirë të Evropianit U20: Krenar për suksesin historik të Kosovës

Reprezentuesi i Kosovës U20 në hendboll, Suad Pajaziti, është përzgjedhur në ekipin më të mirë të Men’s 20 EHF Championship I, turne që përfundoi të dielën në Prishtinë.

Pajaziti ishte një nga lojtarët më të spikatur të Kombëtares së Kosovës gjatë gjithë kampionatit, duke fituar një vend në formacionin ideal në pozitën e qendrës. Edhe pse pozita e tij natyrale është ajo e alos së majtë, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe si organizator i lojës, duke dëshmuar cilësitë dhe shumëanshmërinë e tij.

Pas përfundimit të kampionatit, Pajaziti u shpreh krenar për arritjen historike të ekipit, duke vlerësuar sakrificën dhe unitetin e skuadrës.

“Mund të jemi krenarë me atë që kemi arritur. Nuk kemi pasur kushtet më të mira në fillim të përgatitjeve për shkak të lëndimeve të bashkëlojtarëve. Në fund kemi shtyrë përpara si ekip dhe jam jashtëzakonisht krenar për këtë”, deklaroi Pajaziti.

Kombëtarja e Kosovës e mbylli garën në vendin e tretë, duke regjistruar suksesin më të madh deri më tani në kampionatet evropiane për grupmoshat e reja.

Pajaziti falënderoi Federatën e Hendbollit të Kosovës, bashkëlojtarët, tifozët dhe familjarët për mbështetjen gjatë gjithë turneut.

“Dua të falënderoj të gjithë të përfshirët në federatë për përkushtimin e tyre. Tre lojtarë nga ekipi ynë zunë vend në ekipin më të mirë të Evropianit dhe kjo flet shumë për aftësitë tona. Një falënderim i madh për tifozët dhe familjet tona që na kanë përkrahur në të gjitha ndeshjet. Shumë faleminderit edhe ekipit, Kosovës dhe të gjithë të përfshirëve”, përfundoi Pajaziti.

D.L

Exit mobile version