Komuna e Rahovecit është përfshirë gjatë ditës se djeshme nga një stuhi e fuqishme e shoqëruar me erëra të forta, e cila ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si në qytet, ashtu edhe në shumë lokalitete të tjera të kësaj komune.
Pas situatës së krijuar, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, së bashku me ekipet emergjente, kanë dalë menjëherë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të sanuar dëmet e shkaktuara dhe për ta rikthyer gjendjen në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur.
Përmes një njoftimi zyrtar, autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet pranë pemëve, shtyllave elektrike apo objekteve të dëmtuara nga era, si dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente deri në stabilizimin e plotë të motit./E.A/
