Studiuesit besojnë se e kanë zbuluar origjinën e Vdekjes së Zezë, mbi 600 vjet pasi mbyti dhjetëra miliona njerëz në Evropë, Azi dhe Afrikë të Veriut.
Katastrofa shëndetësore e mesit të shekullit të 14-të është një nga episodet më të rëndësishme të sëmundjes në historinë njerëzore. Por pavarësisht viteve të shumta të studimeve, shkencëtarët ende s’e kanë përcaktuar se ku filloi murtaja.
Tani studimet sugjerojnë se nisi në Kirgistan të Azisë Qendrore, në vitet 1330. Një ekip hulumtues nga Universiteti i Stirling në Skoci dhe Instituti Max Planck i Gjermanisë dhe Universiteti i Tubingen analizuan mostrat e lashta të ADN-së nga dhëmbët e skeleteve në varrezat pranë liqenit Issyk Kul, në Kirgistan. Ata zgjodhën zonën pasi vunë re një rritje të konsiderueshme të varrimeve atje në vitet 1338 dhe 1339.
Dr Maria Spyrou, studiuese në Universitetin e Tubingen, tha se ekipi studioi ADN-në nga shtatë skelete. Ata analizuan dhëmbët sepse, sipas Dr Spyrou, ato përmbajnë shumë enë gjaku dhe u japin studiuesve “shanse të larta për të zbuluar patogjenë të lindur nga gjaku që mund të kenë shkaktuar vdekjen e individëve”.
Ekipi hulumtues arriti ta gjente bakterin e murtajës, Yersinia pestis, në tre prej tyre.
Dr Philip Slavin, një historian në Universitetin e Stirling, tha për zbulimin: “Studimi ynë ngrit një nga pyetjet më të mëdha dhe më interesante në histori dhe përcakton se kur dhe ku filloi vrasësi i vetëm më famëkeq i njerëzve”.
Çfarë është murtaja bubonike?
Murtaja është një sëmundje infektive potencialisht vdekjeprurëse që shkaktohet nga bakteret e quajtura Yersinia pestis që jetojnë në disa kafshë – kryesisht brejtës – dhe pleshtat e tyre. Murtaja bubonike është forma më e zakonshme e sëmundjes që njerëzit mund të marrin. Emri vjen nga simptomat që shkakton – nyjet limfatike të dhimbshme, të fryra ose ‘buboes’ në ijë ose sqetull.
Nga vitet 2010 deri në vitin 2015, janë raportuar 3 mijë e 248 raste në mbarë botën, duke përfshirë 584 vdekje./UBTNews/