Njësia Kërkimore e Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierive organizoi ditën e sotme një konferencë shkencore me temën “Ndryshimet Klimatike dhe Uji: Mbyllja e Hendekut të Paralajmërimit të Hershëm Së Bashku”, e cila u zhvillua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ky aktivitet shkencor bashkoi 72 studiues dhe 22 institucione kërkimore, universitare, administrative dhe nga sektori i biznesit, të cilët ishin të ftuar nga Shqipëria dhe Kosova për të diskutuar mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe menaxhimin e ujit, si dhe përmirësimin e paralajmërimeve të hershme për rreziqet natyrore.
Konferenca e organizuar synoi të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe studiuesve të dy vendeve për përballimin e sfidave të paraqitura nga ndryshimet klimatike, veçanërisht në fushat e menaxhimit të ujit dhe përmirësimit të sistemeve të paralajmërimit të hershëm për katastrofat natyrore.
Akademiku Rrapo Ormëni, gjatë hapjes së ngjarjes, theksoi se ky aktivitet ishte i rëndësishëm për shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM), një ngjarje kyçe që ka kontribuar në përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për monitorimin e kushteve klimatike dhe parashikimin e fenomeneve atmosferikë. Ai theksoi gjithashtu se parandalimi dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike kërkojnë investime të qëndrueshme dhe monitorim të vazhdueshëm, si dhe një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në këtë fushë.
Në konferencë u mbajtën dy referate kryesore nga specialistë të njohur në këtë fushë. Prof. Dr. Petrit Zorba, nga Instituti i Gjeoshkencave të Universitetit të Teknologjisë të Tiranës (UPT), dhe Besim Aliu, nga Instituti Hidrometrologjik i Kosovës, ndanë përqasje të reja dhe të dhëna mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në rajon, duke lidhur këto ndryshime me politikat energjetike dhe sfidat për diversifikimin e burimeve të energjisë në Shqipëri. Ata diskutuan gjithashtu mbi sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit dhe nevojën për përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e krijimit të lidhjeve më të forta mes politikës dhe kërkimeve shkencore për të adresuar këto sfida.
Pjesëmarrësit e konferencës patën mundësinë të shijojnë një forum të frytshëm shkencor dhe të krijojnë mundësi për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e kërkimit dhe menaxhimit të burimeve natyrore, veçanërisht në lidhje me menaxhimin e ujit dhe përballimin e sfidave që ndryshimet klimatike do të sjellin për të dy vendet.
Ky aktivitet ishte një hap përpara për avancimin e politikave të qëndrueshme dhe për forcimin e kapaciteteve për t’u përballur me rreziqet natyrore që kërcënojnë rajonin, duke kontribuar kështu në sigurimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të qëndrueshme për Shqipërinë dhe Kosovën./UBTNews/