Punimi shkencor i profesorëve të Shkencave Mjekësore në UBT, Prof. Dr. Fitim Alidema dhe Prof. Dr. Zejdush Tahiri, në bashkëautorësi me Mr. Ph. Flakron Alidema, është publikuar në revistën prestigjioze ndërkombëtare Pharmacoepidemiology.
Ky studim vëzhgues retrospektiv ka analizuar të dhënat e 4.668 pacientëve të trajtuar me aspirinë 100 mg në kujdesin parësor shëndetësor. Gjetjet kryesore të hulumtimit tregojnë se përdorimi potencialisht i papërshtatshëm i aspirinës është dukshëm më i lartë në parandalimin parësor kardiovaskular (52,3%) krahasuar me atë dytësor (1,8%).
Kontributi i veçantë i këtij punimi të profesorëve të UBT-së qëndron në vlerësimin e përbashkët të indikacionit mjekësor, profilit të rrezikut për gjakderdhje dhe barnave shoqëruese, në raport me ndërprerjen e dokumentuar të terapisë. Sipas analizës, historia e gjakderdhjes gastrointestinale rezultoi të jetë faktori kryesor i lidhur me ndërprerjen e trajtimit me aspirinë, duke nxjerrë në pah nevojën për rivlerësim individual të raportit përfitim–rrezik te secili pacient.
Revista Pharmacoepidemiology, e botuar nga MDPI, renditet në kuartilin Q2 sipas SCImago 2025 në kategorinë e farmakologjisë dhe toksikologjisë, indeksohet në platformat e njohura Scopus dhe Web of Science (ESCI), dhe ka faktor ndikimi 1,6 sipas Clarivate.

