Sfidat e planifikimit urban bashkëkohor dhe nevoja për hapësira të gjelbra kanë qenë në qendër të një hulumtimi shkencor të realizuar për temë masteri në UBT nga studiuesja Eli Binxhija, nën mentorimin e Prof. Dr. Edon Maliqit. Hulumtimi analizon zbatueshmërinë e konceptit ndërkombëtar “Rregulli 3-30-300” në territorin e Gjakovës përmes teknologjive të avancuara gjeohapësinore (GIS, GPS dhe RS).
Ky rregull përbën një standard modern për zhvillim të qëndrueshëm, ku synohet që çdo qytetar të shohë së paku 3 pemë nga vendbanimi, çdo lagje të ketë minimumi 30% mbulim me gjelbërim dhe çdo banor të ketë një hapësirë të gjelbër publike brenda një distance prej 300 metrash.
Përmes të dhënave satelitore dhe analizës hapësinore, studimi nxori në dritë treguesit realë për qytetin e Gjakovës: Dukshmëria e pemëve (Kriteri 3): Përmbushet në 84.40% të territorit; Mbulimi me gjelbërim (Kriteri 30): Arrin në 93.28% dhe Qasja në parqe publike brenda 300m (Kriteri 300): Realizohet vetëm në 53.49% të rasteve.
Në bilancin e përgjithshëm, rezulton se Gjakova përmbush 44.14% të të tri kërkesave simultanisht, ndërsa 55.86% e tyre mbeten të papërmbushura. Kjo dëshmon se përkundër nivelit të lartë të bimësisë, sfidë kryesore mbetet mungesa e parqeve publike në distancë të afërt dhe shpërndarja e pabarabartë e tyre.
Rëndësia praktike e këtij hulumtimi qëndron në krijimin e një baze të saktë të dhënash për institucionet lokale, planifikuesit urbanë e vendimmarrësit. Gjetjet ofrojnë udhëzime të qarta për identifikimin e zonave prioritare ku duhet të investohet në infrastrukturë të gjelbër, me qëllim ndërtimin e qyteteve më të shëndetshme, më rezistente dhe më gjithëpërfshirëse.

