Vaksinat kundër COVID-19 janë të sigura dhe efektive dhe janë në dispozicion falas, por shumica e amerikanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës refuzojnë të vaksinohen – dhe një studim i fundit sugjeron se të famshmit mund të fajësohen për ngjalljen e mosbesimit te njerëzit.
Të famshmit janë përpjekur prej kohësh të ndikojnë pozitivisht në shëndetin publik, tregojnë studimet, por gjatë pandemisë, ata me gjasë kishin një ndikim të madh në përhapjen e dezinformatave.
Dekada më parë, në vitet 1950, në reklamat televizive u shfaqën të famshëm sikurse Elvis Presley, Dick Van Dyke dhe Ella Fitzgerald, të cilët i inkurajonin njerëzit të vaksinoheshin kundër poliomielitit. Ky ndikim i të famshmëve nxiti vaksinimin dhe kjo ndikoi që të eliminohet kjo sëmundje vdekjeprurëse.
Në vitin 2021, zyrtarët amerikanë përdorën të famshmit në reklama televizive për të inkurajuar njerëzit që të vaksinohen kundër COVID-19. Emra të mëdhenj si Martha Stewart, këngëtari Charlie Puth dhe madje edhe udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitchell McConnell u shfaqën në spote të tilla.
Bota nuk është më e kufizuar në vetëm tri rrjete televizive, kështu që të famshëm si aktorja Hilary Duff, aktori Dwayne “The Rock” Johnson, këngëtarja Dolly Parton dhe madje edhe Big Bird shfrytëzuan rrjetet sociale për të promovuar mesazhe pro vaksinimit kundër COVID-19. Por mediat sociale u bënë edhe mjet për të famshmit për të hedhur dyshime mbi sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave dhe madje për të përhapur dezinformata rreth COVID-19. Mesazhet e tyre negative duket se arritën tek një audiencë.
Për studimin e tyre, që u publikua në revistën BMJ Health & Care Informatics, studiuesit ekzaminuan afro 13 milionë postime midis janarit të vitit 2020 dhe marsit të vitit 2022 në lidhje me COVID-19 dhe vaksinat. Ata krijuan një model të gjuhës natyrale për të përcaktuar ndjenjën e secilit postim dhe i krahasuan ato me postime që përmendnin gjithashtu njerëzit në sytë e publikut.
Postimet që ata analizuan ishin të njerëzve që kishin shfaqur skepticizëm mbi vaksinat, mbi COVID-19, dhe ato u identifikuan si dezinformata mbi pandeminë. Në mesin e tyre ishin rep artistja Nicki Minaj, futbollisti Aaron Rodgers, ylli i tenisit Novak Djokovic, këngëtari Eric Clapton, senatori Rand Paul, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, senatori Ted Cruz, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, moderatori Tucker Carlson dhe komentatori Joe Rogan.
Sipas studimit, 45 mijë e 255 postime nga 34 mijë e 407 autorë flisnin për çështje lidhur me vaksinën COVID-19. Këto postime në Twitter gjeneruan mbi 16 milionë pëlqime. Postimet ishin kryesisht negative, dhe lidheshin më tepër me polemika kundër vaksinave sesa me lajme mbi zhvillimin e tyre.
Shumica e komenteve negative ishin nga Minaj dhe Rodgers. Trump dhe Cruz u zbulua se kishin ndikimin më të madh brenda këtij grupi, të cilët arritën mbi 122 mijë pëlqime./UBTNews/