Një tjetër histori suksesi shënohet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT. Studentja Diellza Vishi ka përmbyllur me sukses studimet e saj të nivelit master, duke realizuar një hulumtim të rëndësishëm shkencor në kuadër të programit të mobilitetit Erasmus+.
Gjatë një semestri të kaluar në Valencia të Spanjës, pjesën eksperimentale dhe hulumtimin shkencor për temën e saj të diplomës, Diellza i ka zhvilluar në laboratorin e njohur ICITECH (Instituto de Ciencia y Tecnología del Hormigón), brenda Universitat Politècnica de València (UPV). ICITECH njihet si një nga institutet kërkimore më me zë në Evropë në fushën e materialeve ndërtimore dhe inxhinierisë strukturore.
Hulumtimi shkencor u zhvillua nën mbikëqyrjen e dy emrave të shquar të fushës: Prof. Dr. Pedro Serna Ros, ekspert me reputacion ndërkombëtar në fushën e betonit të përforcuar me fibra, si dhe Prof. Dr. Visar Krelani, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT.
Studentja Diellza Vishi mbrojti me sukses temën me titull “Experimental Analysis of the Effect of Fiber Orientation on the Mechanical Behavior of Prismatic and Slab Elements”.

Pjesë e komisionit në mbrojtjen e diplomës ishte edhe vetë Prof. Dr. Pedro Serna Ros, i cili u kyç drejtpërdrejt nga Spanja përmes platformës Google Meet.
Ky sukses dëshmon edhe një herë cilësinë e përgatitjes akademike në UBT dhe mundësitë e mëdha që institucioni u ofron studentëve për të depërtuar në qendrat më të njohura kërkimore evropiane. /E.A/
