UBT News

Studentja dhe kampionia olimpike Nora Gjakova publikon studimin shkencor mbi rikuperimin e shpejtë pas lëndimit të hamstringut

Studentja e Fakultetit Shkencat e Sportit dhe të Lëvizjes në UBT dhe kampionia olimpike Nora Gjakova, së bashku me profesorin Milaim Berisha dhe bashkëautorë ndërkombëtarë, ka publikuar një punim shkencor të rëndësishëm mbi rikuperimin e lëndimeve komplekse të pjesës proksimale të hamstringut në sportistët elitarë.

Studimi është botuar në revistën prestigjioze evropiane Retos (Q2) dhe mund të gjendet këtu: Retos – Article Punimi trajton rastin unik të rikuperimit 5-mujor të Nora Gjakovës pas këputjes së pjesshme të hamstringut, një periudhë që konsiderohet shumë e shkurtër për rikuperim të plotë, sidomos kur objektivi ishte pjesëmarrja në Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Ky studim sjell një kontribut të rëndësishëm në literaturën shkencore, duke analizuar kufijtë klinikë që ndajnë rastet që kërkojnë ndërhyrje kirurgjike nga ato që mund të menaxhohen me trajtim konservativ.

Rezultatet tregojnë se një qasje e strukturuar, e bazuar në terapi fizike, stërvitje progresive dhe drill-e specifike për sportin e xhudos, mund të mundësojë rikuperim të shpejtë dhe kthim në garë pa ndërhyrje kirurgjike.

Rasti i Nora Gjakovës demonstron se sportistët elitarë jo vetëm që arrijnë rezultate të jashtëzakonshme në garë, por edhe mund të kontribuojnë në avancimin e praktikave rehabilituese dhe të njohurive shkencore në fushën e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, një program i zhvilluar fuqishëm në UBT, që ofron mundësi të avancuara për studentët dhe sportistët e rinj për t’u trajnuar dhe për të mësuar mbi bazat shkencore të performancës dhe rikuperimit.

Ky rast është një shembull i qartë se si bashkëpunimi ndërkombëtar mes sportistëve dhe akademikëve mund të sjellë njohuri të reja, duke rritur standardet e rehabilitimit sportiv dhe duke fuqizuar studentët e UBT që të jenë pjesë e projekteve shkencore me ndikim global.

Exit mobile version