Në kuadër të përkushtimit të UBT-së për të ofruar një arsimim të orientuar drejt praktikës dhe për të forcuar lidhjen mes teorisë akademike dhe industrisë, studentët e vitit të tretë të programit Inxhinieri Mekatronike realizuan një vizitë studimore në kompaninë Elsam në Ferizaj.
Të shoqëruar nga Prof. Fidan Smaili, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset industriale, teknologjitë e aplikuara dhe mënyrën e funksionimit të një kompanie moderne që operon në sektorin e prodhimit dhe zgjidhjeve inxhinierike.
Gjatë vizitës, përfaqësues të kompanisë prezantuan aktivitetet kryesore të Elsam Company, duke shpjeguar proceset e punës, standardet e cilësisë dhe aplikimin e teknologjive bashkëkohore në prodhim dhe inxhinieri. Studentët u informuan gjithashtu mbi rëndësinë e automatizimit, sistemet mekanike dhe elektrike, si dhe integrimin e zgjidhjeve të mekatronikës në industri.
Vizita u zhvillua në një atmosferë profesionale dhe interaktive, duke u shndërruar në një përvojë të vlefshme për studentët, të cilët patën mundësinë të lidhin njohuritë teorike të fituara në auditor me aplikimet reale në mjedisin industrial.

