UBT News

Studentët e vitit të tretë në UBT prezantojnë ekspozitën përfundimtare “The Graduets”

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, studentët e vitit të tretë në programin e Artit dhe Mediave Digjitale në UBT prezantojnë ekspozitën përfundimtare “The Graduets”, një platformë artistike që sjell së bashku punime të frymëzuara nga përvoja personale, sociale dhe kolektive.

Ekspozita trajton tema që lidhen me kujtesën, hapësirën, identitetin dhe mënyrën se si individi bashkëjeton me humbjen, trashëgiminë, heshtjen dhe përvojat që vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme. Përmes mediave dhe qasjeve të ndryshme artistike, studentët eksplorojnë marrëdhënien ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes, duke e vendosur kujtesën në qendër të reflektimit artistik.

Në punimet e ekspozuara, elemente si shtëpia, dhoma, dera, trupi, objekti dhe toka shfaqen jo vetëm si forma fizike, por si bartëse të historive, emocioneve dhe përvojave njerëzore. Ato bëhen hapësira ku ruhen kujtime familjare, gjurmë historike, trauma, ndjenja përkatësie dhe rrëfime personale që lidhen ngushtë me realitetin kolektiv.

“The Graduets” e trajton kujtesën si një forcë aktive që vazhdon të ndikojë në mënyrën se si e perceptojmë botën përreth nesh. Punimet reflektojnë mbi gjurmët që lënë lufta, familja, mjedisi, trupi dhe përvojat e pashprehura, duke krijuar një dialog të hapur mes individit dhe shoqërisë.

Përmes kësaj ekspozite, studentët e UBT-së prezantojnë kërkimin e tyre artistik dhe ofrojnë perspektiva të reja mbi çështje që vazhdojnë të formësojnë përvojën njerëzore. “The Graduets” nuk synon të japë përgjigje përfundimtare, por të krijojë një hapësirë reflektimi, ku kuptimet mbeten të hapura dhe vizitori ftohet të ndërtojë interpretimin e vet.

Ekspozita përfaqëson kulmin e angazhimit akademik dhe krijues të studentëve, duke dëshmuar potencialin e tyre për të trajtuar tema komplekse përmes artit bashkëkohor dhe praktikave vizuale.

Exit mobile version