UBT News

Studentët e UBT-së prezantojnë punim shkencor në International Student Congress 2026 në Graz

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj ekselencës akademike dhe promovimit të studentëve në arenën ndërkombëtare, pasi punimi shkencor i studenteve Tringa Muhadri nga Fakulteti i Stomatologjisë dhe Ornela Lezi nga Fakulteti i Teknikës Dentare është pranuar për prezantim në edicionin e 12-të të International Student Congress (ISC MedUni Graz), i cili do të mbahet nga 3 deri më 6 qershor 2026 në Graz, Austri.

Punimi me titull “Digital vs Conventional Impressions: Accuracy, Patient Comfort, and Comparison – Paper Review”, i realizuar nën mentorimin akademik të Prof. Asst. Genc Demjaha dhe Dr. Spec. Krenare Mehmeti, ka marrë vlerësim pozitiv nga Këshilli Organizativ i kongresit, duke u përzgjedhur për prezantim në një platformë prestigjioze ndërkombëtare që mbledh studentë, hulumtues dhe profesionistë të rinj nga fusha të ndryshme të shkencave shëndetësore.

Për të katërtin vit radhazi, studentët e UBT-së po marrin pjesë dhe prezantojnë punimet e tyre shkencore në International Student Congress në Graz, duke dëshmuar vazhdimësinë e suksesit dhe përfaqësimit dinjitoz në një nga platformat më prestigjioze akademike ndërkombëtare. Ky sukses përfaqëson jo vetëm një arritje të rëndësishme për studentet, por edhe një dëshmi të cilësisë akademike dhe përgatitjes profesionale që ofrojnë Fakulteti i Stomatologjisë dhe Fakulteti i Teknikës Dentare në UBT.

Përmes këtij punimi, studentet do të prezantojnë analiza mbi krahasimin ndërmjet metodave digjitale dhe konvencionale të impresioneve dentare, duke trajtuar elemente kyçe si saktësia, komoditeti i pacientit dhe përparësitë e teknologjive moderne në praktikën stomatologjike.

ISC MedUni Graz konsiderohet një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për studentët e shkencave shëndetësore, me fokus në promovimin e bashkëpunimit ndërdisiplinor, shkëmbimin e njohurive shkencore, ndërtimin e rrjeteve profesionale dhe avancimin e dialogut akademik global.

Pjesëmarrja e studenteve të UBT-së në këtë kongres prestigjioz konfirmon edhe një herë orientimin ndërkombëtar të institucionit dhe angazhimin e tij për të krijuar mundësi konkrete për studentët që të kontribuojnë në zhvillimin shkencor dhe profesional përtej kufijve vendorë.

Ky përfaqësim dinjitoz në Graz është një tjetër dëshmi se UBT po vazhdon të ndërtojë gjenerata profesionistësh dhe hulumtuesish të aftë për të konkurruar dhe kontribuar në skenën globale akademike.

Exit mobile version