Në kuadër të përkushtimit të UBT-së për të ndërlidhur njohuritë teorike me praktikën profesionale dhe zhvillimet më të fundit teknologjike, studentët e vitit të dytë nga drejtimi Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri realizuan një vizitë studimore në KREN, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Vehbi Sofiu.
Vizita kishte për qëllim avancimin e njohurive praktike të studentëve në fushën e sistemeve dhe sinjaleve, si dhe njohjen me teknologjitë moderne të monitorimit, analizimit dhe menaxhimit të radiofrekuencave (RF), të cilat përbëjnë një komponent kyç në industrinë bashkëkohore të komunikimit dhe teknologjisë.
Studentët u pritën nga koordinatori Atif Bashani, i cili prezantoi në mënyrë të detajuar infrastrukturën teknologjike të laboratorit modern RF (Radio-Frequency Laboratory) në hapësirat e KREN-it. Gjatë prezantimit, studentët u njohën me sistemet inteligjente të monitorimit të sinjaleve, sensorët e avancuar RF, antenat profesionale dhe serverët e dedikuar për identifikimin dhe lokalizimin në kohë reale të pajisjeve që emitojnë sinjale përmes analizës së brezit frekuencor.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe aplikacioneve softuerike të specializuara që përdoren për monitorimin, analizimin dhe menaxhimin e frekuencave dhe sinjaleve në kohë reale, duke demonstruar integrimin e teknologjive moderne në sistemet inteligjente të komunikimit.
Gjatë demonstrimeve praktike, studentët patën mundësinë të shohin nga afër mënyrën e funksionimit të sistemeve RF, lidhjen ndërmjet sensorëve dhe softuerëve analitikë, si dhe procesimin e impulseve dhe parametrave të komunikimit sipas standardeve bashkëkohore teknologjike.
Përmes kësaj eksperience praktike, studentët kuptuan më mirë rëndësinë e analizës së sinjaleve, optimizimit të performancës së rrjeteve të komunikimit dhe rolit të teknologjive inteligjente në funksionimin e sistemeve moderne të informacionit dhe telekomunikimit.
Përvoja të tilla studimore jo vetëm që rrisin interaktivitetin në procesin mësimor, por edhe fuqizojnë kompetencat profesionale të studentëve, duke i bërë ata më të gatshëm për karrierë në industri të avancuara teknologjike dhe sisteme inteligjente të së ardhmes.

