Disa studentë të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, nën udhëheqjen e profesoreshës Dr. Adelina Ahmeti Pronaj, realizuan një vizitë studimore në Qendrën për Zhvillim, me qëllim thellimin e njohurive praktike në fushën e shëndetit mendor dhe shërbimeve multidisiplinare.

Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me gamën e gjerë të shërbimeve që ofrohen në qendër, duke përfshirë mbështetjen psikologjike, sociale dhe edukative, të orientuara drejt nevojave të individit dhe familjes. Përmes prezantimeve profesionale dhe diskutimeve të hapura me stafin e qendrës, studentët u njohën me mënyrën se si funksionon bashkëpunimi ndërprofesional në trajtimin e rasteve komplekse në shëndetin mendor.
Një theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së punës ekipore mes psikologëve, punëtorëve socialë, pedagogëve dhe profesionistëve të tjerë, si një element kyç për ofrimin e një mbështetjeje gjithëpërfshirëse dhe efektive. Studentët u njohën gjithashtu me praktikat etike, qasjet bashkëkohore të ndërhyrjes dhe sfidat që shoqërojnë punën me individë dhe familje në nevojë.
Kjo përvojë praktike u vlerësua si jashtëzakonisht e vlefshme nga studentët, pasi shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë akademike të përvetësuar në auditorë dhe praktikës reale në terren. Vizita nxiti reflektim profesional, rriti ndjeshmërinë shoqërore dhe forcoi përkushtimin e studentëve për të kontribuar në të ardhmen në fushën e shëndetit mendor.
Aktivitete të tilla dëshmojnë angazhimin e UBT-së për t’u ofruar studentëve një arsim cilësor, të orientuar drejt praktikës dhe nevojave reale të shoqërisë, duke i përgatitur ata për sfidat profesionale dhe për rolin e tyre si profesionistë të përgjegjshëm në shërbim të komunitetit.
