Studentët e programit Master në Agrokulturë me Mjedis, Sihana Bokshi dhe Shpëtim Salihu, nën udhëheqjen e profesorit Ismet Babaj, kanë dizajnuar metodikën e hulumtimit dhe kanë nisur punën eksperimentale për kultivimin e sallatës së gjelbër (Lactuca sativa L.) në sistemin e kultivimit pa tokë.
Qëllimi i këtij eksperimenti është vlerësimi i efekteve të sistemit të prodhimit dhe furnizimit me azot në formë të nitratit mbi statusin ushqyes të bimëve, akumulimin e nitrateve dhe nitriteve, prodhimin e biomasës, si dhe morfologjinë e sistemit rrënjor.
Në kuadër të hulumtimit po testohen tre trajtime me tretësira ushqyese në dy sisteme të hapura të prodhimit pa tokë, përmes vazove me vëllim prej 1 litri: njëri sistem përdor vermikulitin si substrat rritës, ndërsa tjetri përdor cocopeat (torfë kokosi).
Puna kërkimore do të përmbyllet me analiza kimike dhe matje të parametrave të rritjes së bimëve. Të dhënat dhe rezultatet e përfituara do t’u shërbejnë studentëve për përgatitjen e punimeve të tyre të diplomës, si dhe për publikime në revista shkencore, duke dëshmuar gërshetimin e suksesshëm të teorisë me praktikën shkencore.

