Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit Juridik në UBT për të kombinuar mësimin teorik me përvojën praktike, studentët e lëndës “Procedura Civile e Avancuar”, të udhëhequr nga Prof. Egzona Osmanaj, realizuan një vizitë studimore në Gjykatën Komerciale të Kosovës.
Gjatë vizitës, studentët u pritën nga Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, i cili i njoftoi me organizimin, kompetencat dhe funksionimin e kësaj gjykate, si dhe me rëndësinë e saj në trajtimin e çështjeve që lidhen me biznesin, investimet dhe marrëdhëniet tregtare.
Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës ishte mundësia që studentët të ndjekin nga afër një seancë gjyqësore, duke vëzhguar në praktikë zbatimin e procedurave civile dhe mënyrën e zhvillimit të proceseve gjyqësore. Kjo përvojë u mundësoi atyre të lidhin njohuritë teorike të fituara në auditor me realitetin e sistemit gjyqësor dhe praktikën profesionale.
Vizitat studimore të këtij lloji përbëjnë një pjesë të rëndësishme të metodologjisë së mësimdhënies në Fakultetin Juridik të UBT-së, duke u ofruar studentëve mundësi të drejtpërdrejta për të njohur institucionet e drejtësisë, proceset ligjore dhe sfidat e profesionit juridik.
