UBT News

Studentët e Inxhinierisë së Trafikut dhe Transportit në UBT zhvillojnë vizitë studimore në kryqëzimet moderne të Prishtinës

Në kuadër të përgatitjes profesionale dhe avancimit të njohurive praktike të studentëve, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës – Programi Inxhinieria e Trafikut dhe Transportit në UBT, ka realizuar një vizitë studimore në kryqëzimet e rrugëve “B” dhe “C” në Prishtinë, me studentët që ndjekin lëndën “Rregullimi i fluksit të trafikut”.

Vizita studimore, e udhëhequr nga ligjëruesi monitorues Dr. Sc. Visar Baxhuku, u organizua me qëllim që studentët të njihen nga afër me funksionimin real të infrastrukturës moderne rrugore, mënyrën e organizimit të trafikut urban, si dhe sfidat dhe zgjidhjet bashkëkohore në menaxhimin e fluksit të automjeteve dhe këmbësorëve.

Përmes aktiviteteve të tilla praktike, programi i Inxhinierisë së Trafikut dhe Transportit dëshmon përkushtimin e tij për të ofruar një edukim të avancuar dhe të ndërlidhur drejtpërdrejt me praktikën profesionale dhe nevojat reale të tregut të punës.

Gjatë vizitës, studentët analizuan nga afër format e ndryshme të kryqëzimeve, përfshirë rrethrrotullimet dhe kryqëzimet me sinjale ndriçuese, duke vëzhguar mënyrën e funksionimit të tyre në raport me qarkullimin urban dhe kërkesat e larta të trafikut në kryeqytet.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua paisjeve të sinjalizimit dhe komunikimit, sistemit të semaforëve, sinjalizimit horizontal dhe vertikal, si dhe analizës së pikave të konfliktit mes automjeteve dhe këmbësorëve. Studentët patën mundësinë të studiojnë në terren mënyrën e rregullimit të fluksit të trafikut dhe të identifikojnë pengesat dhe mangësitë që ndikojnë në rrjedhshmërinë e lëvizjes.

Po ashtu, gjatë vizitës u realizuan analiza konkrete lidhur me:

  • pozicionin strategjik të kryqëzimeve në raport me rrjetin rrugor të qytetit;
  • intensitetin dhe jolinearitetin ditor të fluksit të automjeteve;
  • kohëzgjatjen e cikleve të semaforëve;
  • krijimin e vargjeve të automjeteve në pritje;
  • përparësitë e aplikimit të sistemeve moderne Adaptive Signal Control në menaxhimin inteligjent të trafikut.

Diskutimet interaktive dhe angazhimi aktiv i studentëve gjatë vrojtimeve në terren dëshmuan interesimin e madh të tyre për profesionin dhe rëndësinë e ndërlidhjes së teorisë me praktikën.

Sipas vlerësimeve të studentëve dhe stafit akademik, vizita studimore arriti plotësisht qëllimin e saj, duke iu mundësuar studentëve të kuptojnë në mënyrë konkrete sfidat e menaxhimit të trafikut urban dhe aplikimin praktik të njohurive të fituara në auditor.

Programi i Inxhinierisë së Trafikut dhe Transportit vazhdon të organizojë aktivitete të tilla profesionale dhe studimore, të cilat i përgatisin studentët për tregun modern të punës dhe i aftësojnë ata për të kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe sistemeve inteligjente të trafikut në Kosovë dhe më gjerë.

Exit mobile version