UBT News

Studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT vizituan SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë

Studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, nën organizimin e profesoreshës Besarta Sadriu dhe profesor Emrush Thaçi, realizuan një vizitë me karakter humanitar dhe edukativ në SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë.

Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me punën fisnike të institucionit, i cili ofron mbështetje për fëmijët pa përkujdesje prindërore, si dhe sensibilizimi i studentëve për përgjegjësinë sociale dhe empatinë profesionale.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me funksionimin e SOS Fshatit, programet psiko-sociale të ofruara për fëmijët, si dhe rolin e psikologut në mbështetjen emocionale dhe zhvillimore të tyre. Kjo përvojë praktike dhe interaktive u shndërrua në një mësim të vlefshëm për studentët, duke i nxitur të reflektojnë mbi rëndësinë e mbështetjes emocionale dhe përgjegjësisë profesionale në punën me fëmijët.

Në kuadër të kësaj vizite, studentët dhe profesorët e UBT-së dhuruan një donacion simbolik, si shprehje solidariteti dhe përkrahjeje për fëmijët dhe stafin e SOS Fshatit. Ky veprim thekson angazhimin e UBT-së për të kombinuar dijen akademike me vlerat humanitare, duke promovuar ndjeshmëri sociale dhe përkushtim profesional tek studentët.

Vizita u vlerësua pozitivisht nga të dyja palët, duke shprehur dëshirën që bashkëpunime të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim zhvillimin e vlerave etike, sociale dhe profesionale te gjeneratat e reja të psikologëve.

Exit mobile version