Studentët e Fakultetit Juridik dhe Fakultetit të Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës në UBT kanë realizuar një vizitë studimore në Gjykata Themelore në Prishtinë, në kuadër të lëndës “E Drejta Kontraktore”, nën shoqërimin e Prof. Egzona Osmanaj.

Kjo vizitë u organizua me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën profesionale, duke u ofruar studentëve mundësinë që të ndjekin nga afër zhvillimin e procedurave civile dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në praktikë.
Gjatë qëndrimit në gjykatë, studentët ndoqën katër seanca gjyqësore civile, prej të cilave dy janë zhvilluar pranë gjyqtares Rrezarta Ajeti dhe dy të tjera pranë gjyqtarit Durim Balaj. Përmes këtij aktiviteti, ata patën rastin të kuptojnë më mirë procedurat civile, komunikimin profesional në sallën e gjykimit dhe mënyrën e trajtimit të rasteve konkrete.
UBT vazhdon të promovojë mësimin praktik dhe përfshirjen aktive të studentëve në aktivitete profesionale, duke krijuar ura bashkëpunimi me institucione vendore dhe duke i përgatitur studentët për sfidat reale të profesionit.
Vizitat studimore dhe aktivitetet e tilla janë pjesë e qasjes moderne të UBT-së ndaj arsimit, ku teoria dhe praktika zhvillohen paralelisht për të ndërtuar profesionistë të përgatitur për tregun e punës dhe institucionet vendore e ndërkombëtare.
