UBT News

Studentët e Energjisë në UBT vizitojnë parkun e erës në Kitka

Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT ka realizuar një vizitë studimore me studentët në parkun e turbinave me erë në Kitka, me qëllim thellimin e njohurive praktike dhe njohjen nga afër me funksionimin e sistemeve moderne të prodhimit të energjisë së rinovueshme.

Vizita u zhvillua nën udhëheqjen e profesorëve të fakultetit dhe u fokusua në ndërlidhjen e teorisë me aplikimin praktik në terren, duke u ofruar studentëve një përvojë të drejtpërdrejtë në industrinë energjetike.

Studentët u pritën nga drejtori menaxhues i parkut, z. Ibrahim Akyol, i cili prezantoi infrastrukturën e turbinave me erë dhe kapacitetin e instaluar prej 32.4 MW. Ai i njohu studentët me karakteristikat kryesore të parkut, performancën e tij dhe rolin që luan në sistemin energjetik të vendit.

Në vazhdim, zëvendësdrejtori Amir Zeneli shpjegoi aspektet teknike të operimit të parkut, duke ndërlidhur konceptet teorike me praktikat e teknologjisë moderne të aplikuara në këtë kompleks energjetik. Ai elaboroi organizimin e parkut në tre blloqe gjeneruese, si dhe funksionimin e sistemeve të kontrollit dhe monitorimit.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të shohin nga afër strukturën e turbinave, përfshirë gjeneratorët dhe transformatorët energjetikë për secilën njësi gjeneruese. Vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit të shpejtësisë së erës në prodhimin e energjisë, si dhe performancës së flatrave gjatë fazave të ndryshme të operimit.

Në momentin e vizitës, të gjitha turbinat ishin në funksion, duke u mundësuar studentëve të përjetojnë në kohë reale procesin e prodhimit të energjisë dhe rëndësinë që ka energjia e erës në zhvillimin e qëndrueshëm energjetik.

Exit mobile version