Studentët dhe profesorët e Fakultetit të Dizajnit të Integruar kanë realizuar një sfilatë mode me krijime të përzgjedhura të studentëve të vitit të tretë dhe vitit të dytë. Koleksioni i kësaj sfilate si tërësi është bazuar dhe titulluar sipas trendit e fundit të modës në botë, “POP-UP”, që ka qenë karakteristikë tipike e modës së zhvilluar gjatë këtyre muajve të pandemisë nga stilistët dhe dizajnerët më të njohur.
Profesoresha dhe organizatorja e sfilatës, Afërdita Statovci potencoi se fillimi i muajit Mars 2020, u shënua me fillimin e një periudhe sfiduese për të gjitha industritë, përfshirë këtu edhe industrinë e modës.
“E ardhmja e shfaqjeve, ekspozitave dhe sfilatave të modës ishte e pa sigurt dhe kjo paraqiti një sfidë për dizajnerë të modës, për studentë të modës dhe për brende të tejkalojnë krizën e pandemisë dhe përkufizimeve sociale që e përcollën atë. Të ballafaquar me domosdoshmërinë e përkthimit të modës në një format digjitale, ne në specializimin Dizajn Mode dhe Tekstil, kaluam javët e para të izolimit në muajin Mars duke diskutuar mënyrën se si të bashkëdyzojmë glamurin dhe shkëlqimin e një sfilatë mode me ‘ftohtësinë’ e internetit. Përgjigja: Sfilatë Virtuale”, potencoi Statovci.
Sipas profesoreshës, video lojërat dhe zhanri fantastiko-shkencor kanë qenë prej kohësh një mjet për të ndërtuar një utopi, duke u mbështetur në idenë se përtej realiteteve fizike mund të ndërtohet diçka më e mirë.
“Tema e sfilatës ishte ‘POP-UP’, që në dizajn të modës nënkupton diçka që shfaqet papritmas. Si koncept ‘POP-UP’, në dizajn të modës është përqafuar fuqishëm nga dizajnerët dhe brendet e modës në tërë globin si një eksperiencë e re, dhe si mjet i cili ofron përvoja të reja për të krijuar lidhje më të thella me publikun duke i lejuar atij të analizojë dhe të shijojë më shumë dizajnet e shfaqura”, vlerësoi ajo.
Sfilatën mund ta gjeni në linkun: