Në kuadër të “Ditëve të Artit dhe Dizajnit” në UBT, studentët e Artit dhe Medias Digjitale prezantuan projektet e tyre kreative në lëndën “Advanced Multimedia”, nën mentorimin e profesorit Dardan Luta, duke sjellë ide inovative që ndërthurin dizajnin e produktit me identitetin vizual të brendit.
Projekti i këtij viti u fokusua në krijimin e një identiteti të ri të markës përmes dizajnimit të një koleksioni llampash me tematikë të veçantë. Studentët zhvilluan koncepte unike që reflektojnë stile të ndryshme estetike, nga minimalizmi dhe dizajni futuristik, deri te format organike, duke synuar krijimin e një identiteti vizual të dallueshëm dhe modern.
Përveç dizajnimit të produktit, projektet përfshinë edhe krijimin e logos, përzgjedhjen e paletës së ngjyrave, idetë për paketim dhe materialet promovuese vizuale. Përmes kësaj qasjeje multidisiplinare, studentët eksploruan mënyrën se si dizajni i produktit dhe brendimi bashkëpunojnë për të ndërtuar një përvojë të fortë dhe të paharrueshme të markës.
Ky aktivitet dëshmoi kreativitetin, inovacionin dhe aftësitë profesionale të studentëve të AMD-së, duke reflektuar qasjen moderne të UBT-së në zhvillimin e talenteve në fushën e artit, dizajnit dhe komunikimit vizual.
