Fakulteti i Shkencave të Sportit në UBT, nën udhëheqjen e Dekanit Agron Thaqi, po realizon aktivitetet e internshipit në Vjenë të Austrisë, në kuadër të projektit ndërkombëtar SHAPE.
Ky program po zhvillohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të projektit, duke bashkuar studentë dhe staf akademik nga universitete të ndryshme evropiane për të shkëmbyer njohuri, përvoja dhe praktika bashkëkohore në fushën e sportit, shëndetit dhe aktivitetit fizik.
Përgjatë javës, pjesëmarrësit janë të angazhuar në një sërë aktivitetesh profesionale, përfshirë punëtori praktike, vizita studimore, sesione trajnimi dhe ligjërata të udhëhequra nga ekspertë të Universitetit të Vjenës. Këto aktivitete synojnë avancimin e kompetencave profesionale të studentëve, zgjerimin e njohurive të tyre akademike dhe përgatitjen për sfidat e tregut ndërkombëtar të punës.
Internshipi në Vjenë paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për studentët e UBT-së që të aplikojnë në praktikë njohuritë e fituara gjatë studimeve, të krijojnë rrjete të reja bashkëpunimi me kolegë nga vende të ndryshme të Evropës dhe të njihen nga afër me modelet më të avancuara të edukimit dhe praktikës profesionale në fushën e shkencave të sportit.
UBT shpreh mirënjohjen e saj për partnerët e projektit SHAPE dhe në veçanti për ekipin e Universitetit të Vjenës për mikpritjen, profesionalizmin dhe mbështetjen e vazhdueshme në organizimin e këtij aktiviteti me rëndësi të veçantë për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve dhe stafit të Fakultetit të Shkencave të Sportit.
Përmes pjesëmarrjes në projekte të tilla ndërkombëtare, UBT vazhdon të forcojë dimensionin ndërkombëtar të arsimit, duke krijuar mundësi të reja mobiliteti, bashkëpunimi dhe zhvillimi profesional për studentët dhe stafin e saj.

