UBT News

Studentë të nivelit Master të Fakultetit Agrikulturë dhe Mjedis në UBT vizitojnë Korçën për inovacionet në pemëtari

Programi Master i Fakultetit të Agrikulturës dhe Mjedisit në UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin ndaj mësimit praktik dhe ndërkombëtarizimit, duke u ofruar studentëve përvoja të drejtpërdrejta në terren dhe kontakt me praktikat më të avancuara në rajon.

Në këtë kuadër, më 2 dhe 3 prill, studentët e nivelit Master realizuan një vizitë studimore në Korçë, në kuadër të lëndës Pomologji e Avancuar, e ligjëruar nga Prof. Kujtim Lepaja. Vizita u organizua me ftesë të ADAD Malore dhe me mbështetjen e GIZ Albania.

Gjatë kësaj vizite, studentët u përfshinë në aktivitete praktike, trajnime dhe demonstrime mbi masat e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në prodhimin e frutave, duke reflektuar qasjen bashkëkohore që ofron programi i studimit në UBT.

Ata patën mundësinë të njihen nga afër me Shërbimin e Parashikimit dhe Paralajmërimit të Sëmundjeve dhe Dëmtuesve, një sistem inovativ që ndihmon fermerët dhe ekspertët në menaxhimin efikas të rreziqeve klimatike dhe biologjike.

Në fokus të vizitës ishin:

  • Inovacionet e fundit në pemishtet e Korçës, një nga zonat më të zhvilluara për kultivimin e mollës në rajon;
  • Përdorimi i stacioneve moderne meteorologjike për monitorim dhe paralajmërim të hershëm;
  • Praktikat më të avancuara për menaxhimin e pemëve dhe rritjen e prodhimit në kushte klimatike sfiduese.

Kjo përvojë i mundësoi studentëve të lidhin njohuritë teorike me praktikën reale, duke forcuar kompetencat profesionale dhe duke i përgatitur për tregun e punës në sektorin e bujqësisë moderne.

Programi në UBT është ndër programet më inovative në vend, i orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm, teknologjive të reja dhe përgatitjes së ekspertëve që i përgjigjen sfidave reale të sektorit agro-mjedisor.

Exit mobile version