Florinda Kelmendi, studente e vitit të tretë në Media dhe Komunikim në UBT
Janë 48 fëmijë nën kulmin e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim në Mitrovicë, që mësojnë, argëtohen, këshillohen e socializohen mes vete. Përkundër një varg vështirësish që hasin në punën e përditshme, stafi i kësaj qendreje, janë të motivuar për të vazhduar tutje, për t’i ndihmuar secilin nga fëmijët që kanë aty.
Kuadri ligjor i arsimit garanton të drejtën e plotë për arsim publik të çdo fëmije pavarësisht nga nevojat dhe aftësitë e veçanta. Kjo realizohet me përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në institucionet arsimore të specializuara. Përfshirja dhe integrimi i fëmijëve me dëmtime intelektuale, të rënda dhe të shumëfishta bëhet në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nëna Terezë” në Mitrovicë.
Drejtori i Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim, Hajdar Shyti, tregon për mënyrën e zhvillimit të mësimit si dhe për sfidat që kalojnë këta fëmijë.
“Në qendrën tonë mësojnë fëmijët me dëmtime të rënda dhe të shumëfishta intelektuale. Gjithsej janë 48 nxënës. Këtu mësimi zhvillohet sipas planit individual të arsimit që do të thotë se çdo nxënës e ka planin e tij”, ka thënë Shyti.
Sa i përket kushteve që u ofrohen fëmijëve në këtë shkollë, Shyti tha se duhet ende punë për të qenë në nivel të duhur.
“Marr në krahasim me vitet e kaluara, kushtet janë më të mira. Por në qendër duhet të aktivizohet çdo skut i saj që për momentin nuk kemi arrit. Ndërsa klasat për mësim, salla për aktivitete fizike, pjesa e lodrave, trasportin për të vizituar bibloteka, fabrika, kopshte etj, i kemi”, pohoi ai.
Ai potencon se një nga problemet shtesë është se nuk ka staf të mjaftueshëm në Qendrën për Mësim dhe Këshillim, e në mungesë të tyre, prindërit duhet të qëndrojnë me fëmijët e tyre.
“Në shkollën tonë janë 32 punëtorë, mirëpo nuk mund të themi se ka staf të mjaftueshëm. Kjo ndodh për faktin se ne i kemi disa raste të rënda dhe ndoshta jo një mësimdhënës në klasë, por edhe dy nuk mjaftojnë. Ndonjëherë duhet që prindërit në një pjesë të mirë të ditës të qëndrojnë me fëmijët e tyre në qendër”, tregon Shyti.
Ai shtoi se shëbime logopedike u afrohen vetëm pesë fëmijëve. Kjo bëhet përmes një projekti që ka Qendra për Mësim dhe Këshillim në bashkëpunim me Handikos. Ndërsa logoped në shkollë nuk ka edhe pse do të ishte e domosdoshme.
Shyti shton se afati i rregullt për regjistrimin e këtyre fëmijëve nuk është në funksion sepse është diçka e parealizueshme.
“Kishim pas dëshirë ta caktojmë si në shkollat e rregullta, mirëpo është e pamundur. Për shkak se kur është koha e regjistrimeve në shkollë të rregullt, prindërit me këmbëngulje mundohen që fëmijët t’i dërgojnë atje. Pastaj kur e shohin se fëmijët e tyre nuk mund të mësojnë në një shkollë të rregullt, i sjellin këtu”, thotë Shyti.
Vjollca Osmani, mësuese udhëtuese në këtë institucion tregon për punën që bën në terren në kuadër të Qendrës.
“Roli ynë si mësues udhëtues është që në kuadër të Qendrës Burimore të ofrojmë mbështjetje pedagogjike për mësimdhënësit që kanë nxënës me nevoja të veçanta në shkollat e rregullta”, thotë Osmani.
Ajo shtoi se përveç këshillave pedagogjike profesionale që i ofrojnë, mësimdhënësit e tillë ofrojnë dhe modifikime të teksteve shkollore. Kështu që do të ketë një material sa më të thjeshtë dhe të kuptueshëm për këta fëmijë.
Shyti dhe Osmani janë të mendimit se Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nëna Terezë” është gjithnjë në funksion të gjithëpërfshirjes. Mirëpo konsiderojnë se ekipa vlerësuse në nivel të komunës, duhet ta marr vendimin për hartimin e planit individual. Plan ky i hartuar për fëmijët me nevoja të veçanta që të mësojnë në shkolla të rregullta.
“Mosfunksionimi i ekipës vlerësuese në nivel të komunës, pengon zhvillimin brenda dhe jashtë qendrës. Për fëmijët me nevoja të veçanta që mësojnë në shkolla të rregullta duhet një plan individual. E realisht ne udhëzimin e kemi që një fëmijë duhet të ketë një plan individual vetëm atëherë kur e ka vendimin nga ekipa vlerësuese. Ne si qendër gjendemi në një sfidë të madhe sepse mësuesja thotë se fëmiu ka mbetur mbrapa, nuk po zhvillohet me kurrikulën e re shkollore, ka sjellje problematike në klasë, kështu që ai ka nevojë për një plan individual të cilin realisht nuk e kemi”, u shpreh Osmani.
“Pajtohem me parafolësen! Ka dy vite që nuk po funksionon ky ekip vlerësues. Natyrisht mosfunksionimi i tij nuk është një gjë e mirë por ne assesi nuk i lëmë fëmijët në rrugë. Mirëpo duhet të dimë se edhe politika gjithëpërshirëse në arsim nuk e duron atë pjesë. Nuk është etike që ai fëmijë që është sadopak i aftë për të shkuar në shkollë ta mbajmë këtu”, shton Shyti.
Psikologu i Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim, Labinot Dervishaj, tregoi se roli i tij në këtë shkollë është vlërësimi dhe depërtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me problemet që shfaqen te fëmijët me nevoja të veçanta.
“Unë si psikolog bëj aplikimin e teksteve psikomotorike me anë të të cilave, matet niveli i çrregullimeve te nxënësit. Mirëpo kur është fjala te testet, psikologu nuk është ai që cakton diagnoza por thjesht bën matje për qëllime të brenshme. Nga ato matje nxjerr konkluzione me anë të të cilave, u rekamondoj mësimdhënësve që të reflektojnë në qasjen e mësimdhënies ndaj fëmijëve”, ka thënë Dervishaj.
Ai tha se puna me këta fëmijë është e vështirë, megjithatë e bën me vullnetin më të madh.
“Puna është e vështirë sepse këta fëmijë kanë çrregullime të rënda dhe të shumëfishta, prandaj kërkon shumë angazhim për pak rezultate. Kur një çrregullim influencon shfaqjen e një problemi tjetër vjen deri te një sjellje e jashtëzakonshme në aspektin psikologjik dhe social të këtyre fëmijëve. Megjithatë ne këtë punë e bëjmë me vullnet dhe me motivacionin më të madh që të jemi në nivel të detyrave, për t’iu shërbyer këtyre fëmijëve”, thotë Dervishaj.
Ai vlerëson se aspekti më pozitiv që kanë këta fëmijë, pas konsultave me psikologun, është socializimi.
“Ata mësohen të jetojnë nga një ambient familiar në një ambient tjetër siç është shkolla. Aspekti social është shumë i rëndësishëm, sepse të gjithë arrijnë të socializohen dhe të ndërveprojnë me të tjerët”, pohoi ai.
Dervishaj shton se me nxënësit që e ndjejnë veten më të avancuar, mban seanca individuale për këshilla jetësore, këshilla për sjelle, mirësjellje në familje, shkollë, mjedis, përkujdesje ndaj dukurive negative siç është Dita Botërore Kundër Duhanit, alkoolit, etj.
Psikologu Dervishaj, këshillon prindërit që të mos hezitojnë të sjellin fëmijët e tyre në këtë shkollë sepse është e drejtë e pakontestueshme dhe e pamohueshme.
“Në asnjë mënyrë mos t’ua mohojnë të drejtën fëmijëve për shkollim dhe këshillim. Gjithashtu ta shfrytëzojnë çdo mundësi ligjore që fëmiu i tyre të marr këto shërbime qoftë në shkolla të rregullta apo në qendra burimore”, thotë ai.
Ndryshe Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim për fëmijë me dëmtime inteletuale të rënda dhe të shumëfishta janë prezente edhe në Prizren dhe Prishtinë./UBTNews/