Portieri i Shqipërisë, Thomas Strakosha do të largohet nga skuadra e Lazios në fund të këtij edicioni.
Mediumet italiane kanë raportuar të enjten, se Strakosha tashmë ua ka bërë me dije krerëve të klubit se nuk dëshiron të jetë më pjesë e Lazios.
Ai është i pakënaqur me statusin e tij këtë sezon, pasi për shkak të infektimit me koronavirus dhe lëndimit, e ka humbur vendin e titullarit, të cilin tashmë e ka zënë spanjolli Pepe Reina.
Strakosha 25-vjeçar këtë sezon ka vetëm tetë paraqitje me Lazion, me të cilin ekip ka kontratë deri në vitin tjetër.
Edhe te Lazio janë të gatshëm ta nxjerrin në shitje Strakoshën në verë, pasi tashmë klubi kryeqytetas është në kërkim të një portieri të ri për sezonin e ardhshëm dhe bëhet fjalë për Lorenzo Montipon e Beneventos.