Rusia po e përdor Ballkanin për të shpërqendruar Perëndimin nga agresioni i saj ushtarak në Ukrainë dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke përdorur proxy të brendshëm [Serbia] në rajon për të qëndruar vazhdimisht në prag të konfliktit ose kaosit.
Kështu pohon analistja amerikane Ivana Stradner në një intervistë për The Geopost, duke shtuar se kjo është vazhdimësi e përpjekjeve të Federatës Ruse nga dekada e kaluar.
“Rusia ka lidhje shumë të ngushta me Serbinë, me Republikën Srpska, për shembull dhe me vendet që varen nga gazi rus. Rusia gjithashtu ka investuar shumë në mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe, duke përdorur narrativën tipike të Vëllazërisë Sllave dhe të Krishterimit Ortodoks”, pohon Stradner.
“Kjo nuk është në të vërtetë asgjë e re, vetëm një vazhdimësi e përpjekjeve të Rusisë gjatë dekadës së kaluar, por arsyeja pse Perëndimi është pak nervoz tani është lufta në Ukrainë”, shton ajo.
Sipas saj, Rusia ka investuar shumë në hapësirën e informacionit me anë të trollëve dhe botëve për të polarizuar Ballkanin.
“Ajo që po shohim aktualisht në hapësirën e informacionit është se Rusia ka investuar shumë burime në Telegram dhe media të tjera sociale, në Twitter, në Facebook, duke përdorur trollë dhe bots për të polarizuar më tej Ballkanin, narrativat e tyre në lidhje me vendin e Ukrainës dhe për të ndezur rajonin edhe më shumë”, thekson Stradner.
Gazetarja tutje shpjegon se qëllimi i presidentit Aleksandar Vuçiq është të qëndroj gjatë në pushtet nëpërmjet krizave në rajon, gjë që është e njëjta strategji që e përdor Rusia.
“Objektivi kryesor i Vuçiqit është të qëndrojë në pushtet dhe ai ka adoptuar këtë taktikë të balancimit të Lindjes dhe Perëndimit, domethënë të mbështesë Kinën dhe më pas Rusinë, pastaj Bashkimin Evropian dhe më pas Shtetet e Bashkuara në të njëjtën kohë”, shpjegon gazetarja amerikane.
“Qëllimi i tij është gjithmonë të portretizojë veten si një burim stabiliteti dhe si e bën ai këtë? Duke i lënë gjithmonë gjërat të eskalojnë në rajon dhe më pas duke u paraqitur si dikush që mund ta zgjidhë problemin me ndërmjetësim. E njëjta gjë, një strategji e ngjashme është në fakt për Rusinë”, përfundon ajo.
Në këtë intervistë, Stradner ka folur edhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.