Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, pranoi të martën rëndësinë e shqetësimeve të Turqisë për ofertat e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës për aleancën e mbrojtjes, duke përsëritur se ajo është një aleat i rëndësishëm i NATO-s.
“Unë e njoh gjithashtu rëndësinë e adresimit të shqetësimeve që Turqia ka ngritur”, tha Stoltenberg në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.
Ai tha se Turqia është një aleat i rëndësishëm që ka luajtur një rol kyç në luftën kundër ISIS/DAESH dhe ka një lokacion gjeografik strategjik, i cili është i rëndësishëm për të gjithë Aleancën.
“Asnjë aleat tjetër i NATO-s nuk ka pësuar më shumë sulme terroriste sesa Turqia. Duhet të ulemi dhe të gjejmë një rrugë përpara”, theksoi Stoltenberg.
Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO javën e kaluar, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, e cila filloi në shkurt.
Por Turqia, një anëtare e vjetër e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj ofertave për anëtarësim, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste si PKK/YPG. Anëtarësimi kërkon miratimin unanim nga 30 vendet anëtare të NATO-s.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve. YPG-ja është dega siriane e PKK-së. /UBTNews/