UBT News

Stojkoviq: Spiunët e kërkuar nga SHBA nuk u arratisën, por u larguan nga Serbia me plan të Vuçiqit

Avokati serb, Cedomir Stojkoviq ka reaguar pas raportimit se dy spiunë kanë ikur nga arresti shtëpiak në Serbi, për çka ka thënë se ata janë larguar sipas planit të presidentëve Aleksandër Vuçiq dhe Xi Jinping.

Kinezi Cuj Guanghaj dhe britaniku Xhon Miler, ekstradimin e të cilëve e kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën akuzat për spiunazh dhe kontrabandë të teknologjisë ushtarake, kanë ikur nga arresti shtëpiak në Beograd pasi hoqën byzylykët elektronikë.

“Spiunët kinezë që u arrestuan në Serbi me kërkesë të SHBA-së u nxorën nga vendi nga agjentët e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), sipas një marrëveshjeje të mëparshme mes Aleksandar Vuçiq dhe Xi Jinping”, ka shkruar Stojkoviq në X.

Sipas tij, shërbimet e sigurisë së Serbisë kanë organizuar largimin e tyre nga Serbia.

“Para kësaj, Cuj Guanghaj dhe John Miller, edhe pse të arrestuar me urdhër arresti ndërkombëtar dhe me kërkesë për ekstradim, në vend që të mbaheshin në paraburgim u vendosën në arrest shtëpiak, një precedent deri atëherë krejtësisht i panjohur në sistemin gjyqësor. Sepse, sigurisht, spiunët për të cilët një shtet tjetër kërkon ekstradimin do të arratisen nga arresti shtëpiak”, ka shkruar tutje ai.

Stojkoviq ka shtuar se një gjë e tillë edhe pritej.

“Nuk ka asnjë dilemë që të dy kanë fluturuar me avion nga aeroporti i Beogradit direkt për në Kinë ose përmes Rusisë. BIA i kaloi jashtë kontrollit kufitar dhe i futi në avion. Dikun rreth 99% është pikërisht kështu si ka ndodhur. Ai 1% i mbetur lidhet po me BIA-n, por duke kaluar përmes kufirit të zakonshëm”, ka përfunduar ai.

Cuj dhe Miler u arrestuan më 24 prill 2025 në hotelin “Hajat” mbi bazën e urdhër-arrestit ndërkombëtar të SHBA-së.

“Për personat në fjalë është urdhëruar lëshimi i fletarrestimit, të cilin do ta zbatojë Drejtoria e Policisë së Beogradit, Departamenti për Kërkime”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë në Serbi./S.K/KP/

Exit mobile version