UBT News

Stilisti që krijoi veshje për yjet Dua Lipa, Rita Ora, Beyoncé dhe Sam Smith nga Kievi

Për shumicën e stilistëve, Java e Modës në Londër ishte një shans për të debutuar me koleksione të reja. Por për stilistin ukrainas, Ivan Frolov, kjo nënkuptonte më shumë.

Ivan zgjodhi të vishte një bluzë me flamur të Ukrainës për paraqitjen e tij dhe e shfrytëzoi si mundësi për të ngritur zërin rreth luftës.

“Lufta ende po vazhdon dhe ne kemi nevojë për vëmendjen që e morëm në fillim”, deklaroi ai mes tjerash.

Ivan kujton mëngjesin kur nisi lufta. Ai iu dha pushim punonjësve të tij. Megjithatë, brenda dy javësh ata i shkruajtën stilistit duke i kërkuar që t’i kthehen normalitetit.

Në ditët e para të luftës, ata dhuruan makina qepëse për të realizuar jelek antiplumb dhe i përqendruan aftësitë e tyre diku tjetër. Ai tregoi se në fillim ata realizuan uniforma dhe veshje të tjera për ushtarët.

“Makinat tona qepëse janë të përshtatshme për të bërë korsete dhe fustane mbrëmjeje, por ne bëmë më të mirën që mundëm”, shpjegoi ai.

Siç edhe mund ta imagjinoni, Ivan thotë se të punosh nga një zonë lufte është gjithçka tjetër veçse e parashikueshme. Ai shpjegon se ata ende dëgjojnë sirena ditore të sulmit ajror, duke shtuar se “nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas”.

“Kur Rusia filloi të bombardonte termocentralet, ne patëm shumë probleme me energjinë elektrike dhe ndërprerjet”, shpjegoi ai më tej.

Por Ivan dhe ekipi i tij jo vetëm që kanë ndihmuar rreth luftës, ata iu kthyen edhe stilimit të rrobave. Ishte një rast, kur rifilloi funksionimi normal i bizneseve, dhe Ivan po realizonte veshje për klipin e yllit Sam Smith.

“Ishte një periudhë e shkurtër sepse na duhej të dërgonim veshje në Poloni me tren dhe papritmas pati një ndërprerje të energjisë elektrike”, tha ai.

Në vend që të anulonte porosinë, ekipi i Ivanit gjeti një mënyrë për ta realizuar atë me dorë.

“Mjeshtrat tanë të qëndisjes i ngjitën telefonat e tyre në llamba dhe përdorën dritën e pishtarit për të qëndisur me fije dhe gjilpërë”, thotë ai.

“Pas kësaj kuptova se nuk ka asnjë detyrë që është e pamundur për popullin ukrainas”, shpjegoi ai.

Për shkak se lufta e bën më të vështirë transportimin e rrobave, tani duhen më shumë se 17 orë për ta realizuar një gjë të tillë.

Sam Smith nuk është i vetmi artist për të cilin Ivan ka stiluar veshje vitin e fundit. Nëse jeni fansa të Doja Cat, Rita Ora apo Dua Lipa, mund ta keni parë punën e tij. Po edhe Beyonce.

Në janar, Ivan mori thirrjen për të dizajnuar një nga veshjet për koncertin e yllit në Dubai.

“Është gjithmonë mirë kur ndodh diçka e tillë, sepse në ditët e sotme kemi vetëm lajme të trishta. Kur ndodh diçka mbështetëse, kjo na ndihmon të besojmë se të vazhdojmë gjithçka do të jetë më mirë”, deklaroi ai tutje.

Vendimi i Beyonce-s për të veshur një markë ukrainase në një “performancë kaq të rëndësishme” do të thoshte shumë për Ivanin. Por reflekton se sa i kanë ndryshuar ëndrrat.

“Ka qenë gjithmonë ëndrra ime të vishja Beyoncé, por tani ato ëndrra kanë ndryshuar. Për momentin kam vetëm një ëndërr dhe është fitorja e Ukrainës”, shtoi ai.

Ai ka shpresë se një ditë sfilata e tij e modës do të kthehet në Kiev nga Londra.

“Unë dua që ajo të jetë në Ukrainën e bukur, të pavarur dhe të lirë siç ishte më parë”, përfundoi ai./UBTNews/

Exit mobile version