Efektivët e Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile (BMEC) të Shqipërisë dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë realizuar një stërvitje të përbashkët në fushën e Kërkim-Shpëtimit Malor.
Njoftimi është bërë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, i cili bëri të ditur se stërvitja është zhvilluar në Prevallë të Prizrenit.
Sipas ministrit Nufi, ky aktivitet shërbeu për shkëmbimin e përvojave, testimin e pajisjeve të reja dhe praktikimin e teknikave të avancuara të kërkim-shpëtimit, përfshirë evakuimin e personave të dëmtuar në terrene të vështira malore.
“Një aktivitet që forcon bashkëpunimin në shërbim të jetës, si dhe kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet dy strukturave”, ka shkruar Nufi në rrjetin social Facebook. /E.A/

