Situata financiare e Barcelonës vazhdon të jetë mjaft problematike, por kjo nuk i pengon gjigantët katalanë të synojnë përforcimin e organikës në dritaren e janarit ose verën e ardhshme. Raheem Sterling, sulmuesi aktual i Manchester City-t, qëndron në krye të listës së objektivave. Citizens, sipas raportimeve të fundit në Spanjë, e vlerësojnë 26-vjeçarin 80 milionë euro.
Sterling aktualisht është në një situatë të vështirë në Manchester, pasi ka humbur vendin e tij në formacionin startues të Pep Guardiolës, madje thuhet se ka mosmarrëveshje serioze mes të dyve.
Kontrata e Raheem Sterlingut me Manchester City-n përfundon në qershor 2023, çka e vendos atë në zonën e kuqe, pasi mund të largohet me parametër zero, nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët muajt e ardhshëm. Blutë janë të gatshëm ta shesin nëse mbërrin një ofertë e mirë, kjo është e qartë. Edhe Pep e ka thënë hapur se dëshiron të ketë nën urdhrat e tij vetëm ata lojtarë që ndihen të lumtur në këtë klub.
Barça po merr në konsideratë alternativa të tjera e njëra është ajo që të çon te Dani Olmo, i cili, në fakt, u zhvillua si lojtar brenda La Masias. Problem mbetet çmimi i lartë i kartonit, që shkon deri 50 milionë euro.TCH