Në shënim të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, në Ferizaj të mërkurën u zbulua statuja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair. Ai më 12 qershor ishte i pranishëm në ceremoni dhe mbajti një fjalim në një seancë të veçantë të Parlamentit të Kosovës.
Megjithatë, pas publikimit të fotografisë së statujës nga ish-sekretari i Blair, Alistair Campbell, në një përpjekje për të inkurajuar publikun që të votojë për Partinë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, reagimet online u bënë menjëherë komike.
Njerëzit kanë mbetur të habitur pasi statuja e Tony Blair që u zbulua në Kosovë, tërhoqi krahasime me aktorin australian dhe yllin e ‘Neighbours’, Jason Donovan, shkruan The Independent.
Siç shkruan mediumi, Tony Blair luajti një rol kyç në vendimin e NATO-s për ndërhyrje në vitin 1999.
“Zbulohet statuja e Tony Blair në Kosovë”, ka shkruar Campbell. “Nuk jam i sigurt se ku, nëse diku, do të ngrihen statuja për ndonjë nga pesë kryeministrat që e kanë çuar vendin tonë prapa në 14 vitet e fundit. Votoni Laburistët nëse doni një qeveri serioze që kryen punët”, është shprehur ai.
Por përdoruesit e Twitter nuk mund t’u besonin syve të figurës së zbuluar dhe ishin të bindur se kishte pasur një gabim.
“Statuja e Jason Donovan u zbulua. Duhet të ishte Tony Blair”, tha me shaka një përdorues në X.
“Duke parë se pse Jason Donovan ishte në trend, tani nuk mund të mos e shoh se sa shumë i ngjan Tony Blair”, shkroi një tjetër.
Jason Donovan luajti së bashku me Kylie Minogue në filmin hit amerikan, ‘Neighbours’. Ai u bë i famshëm në shfaqje, duke luajtur Scott Robinson nga viti 1985 deri në 1989, përpara se të fillonte karrierën e tij si solo.