Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka thënë se Kosova ka bërë mjaftueshëm përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë. Deputetja e pushtetit këmbëngul se Serbia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Duke komentuar takimin e sotëm ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, Statovci ka thënë se nevojitet qartësim i pozicioneve të të dyja vendeve.
“Padyshimtë që është edhe një dëshmi tjetër e përpjekjeve tona për normalizim të raporteve në mes dy shteteve. Çështja është që kryeministri Kurti ka qenë i qartë në kushtet bazë të cilat janë të nevojshme në mënyrë që të ketë një normalizim, duke e ditur që marrëveshja bazë ka trajtuar elementet bazë të cilat janë elemente kyçe problematike. Është shumë e rëndësishme që të kemi një qartësim të pozicionit të Serbisë në raport me integritetin territorial të Kosovës, në raport me shtetësinë e Kosovës dhe simbolet e Kosovës të cilat e definojnë një shtet. Në kuadër të kësaj kornize ku qartësohet marrëdhëniet mes dy shteteve të punohet edhe në aspektet e tjera të cilat e mundësojnë një integrim të mirëfilltë”, ka thënë Statovci.
Statovci theksoi se është një përpjekje e mëtutjeshme nga Bashkimi Evropian për t’i ndihmuar këtij procesi, mirëpo sipas saj, kjo marrëveshje përcillet me mosbesim ku prej 11 pikave janë shkelur 8 sosh nga Serbia.
“E shohim që është një përpjekje mëtutjeshme dhe institucioneve të Bashkimi Evropian që të punojnë në këtë drejtim mirëpo siç është thënë ky është proces që përcjellët me mosbesim sepse në tavolinë kemi një palë i cili në këtë marrëveshje tetë pika nga 11 janë shkelur, ka përcjellë edhe letër zyrtare duke e qartësuar pozicionin e saj se tërhiqet nga kjo marrëveshje si dhe ka bërë akte terroriste, mirëpo përpjekjet tona për tu treguat akter serioz dhe i interesuar për normalitet të raporteve të cilët i kontribuojnë sigurisë dhe paqes sidomos në këtë kohë që është sfiduese. Vazhdojnë të mëtutjeshme duke i pasur pozicionet e qarta dhe duke i ndihmuar në mënyrë konstruktive këtij procesi”, theksoi ajo.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja është arritur vitin e kaluar, por ende nuk është zbatuar.