UBT News

​Starton sezoni i ri i Ligës së Evropës

Sonte zyrtarisht ngrihet perdja e edicionit 2025/26 të Ligës së Evropës, ku do të luhen nëntë ndeshje të para të fazës së ligës, ndërsa të enjten do të zhvillohen edhe nëntë duele të tjera të kësaj xhiroje hapëse.

Pas javës së kaluar që solli emocionet e kthimit të Ligës së Kampionëve, tani vëmendja zhvendoset te kompeticioni i dytë më prestigjioz për klube në kontinent.

Ashtu si çdo vit, takimet janë të ndara në dy orare, disa fillojnë nga ora 18:45, ndërsa pjesa tjetër nga 21:00.

Përballjet kryesore të ditës konsiderohen Dinamo Zagreb-Fenerbahçe, Braga-Feyenoord dhe Real Betis-Nottingham Forest.

Nga ana tjetër, Roma do të përballet në transfertë me Nice, Malmö do të presë Ludogorets, Freiburg sfidon Baselin, Celtic shkon në Beograd përballë Crvena Zvezdës, PAOK-u luan ndaj Maccabi Tel Avivit, ndërsa Midtjylland mat forcat me Sturm Grazin.

Kujtojmë se trofeun e edicionit të kaluar e ngriti Tottenham Hotspur, që në finalen angleze mposhti Manchester Unitedin dhe siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për këtë sezon./S.K/KP/

 

Exit mobile version