Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano ka reagua ndaj mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë.
Stano tha se po shohin më shumë veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme nga Qeveria Kurti.
“E konsiderojmë si një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar pikërisht për arsyet që i renditëm në deklaratën e lëshuar mbrëmë. Palët, Serbia dhe Kosova, kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 për telekomunikacionin, ku kanë thënë se shërbimet postare do të diskutohen në fazën e mëvonshme, që nënkupton se ka pasur dialog për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës dhe autoritetet kosovare dje absolutisht, plotësisht ishin të pakoordinuar me ne… është shkelje e marrëveshjes së dialogut”, shtoi Stano.
Sipas zëdhënësit Peter Stano ky veprim në veri është kundër dialogut Kosovë – Serbi derisa shtoi se veprime të tilla mund të çojnë deri tek tensionet e reja mes dyja vendeve.
“Në këtë fazë, Bashkimi Evropian e ka thënë shumë qartë atë që presim nga administrata e Kurtit. Presim që ata të rishqyrtojnë dhe ta trajtojnë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të dalin me propozime që do të shqyrtojnë ndikimin e mundshëm negativ të këtij vendimi në popullin në veri të Kosovës. Por të gjitha çështjet që ju i numëruat janë çështje ku Kosova ka probleme. Fakti që BE-ja vendosi masat kundër Kosovës vitin e kaluar është reflektim i hapave që çuan në përshkallëzim. Tani shohim më shumë hapa të njëanshëm, më shumë veprime të pakoordinuara, ky nuk është në të vërtetë de-përshkallëzim, por çon në përshkallëzim të. Dhe mendoj se këtë duhet ta kuptojnë shumë qartë ata që i marrin këto vendime në Prishtinë” .
Mbyllja e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri u pa si hap i njëanshëm edhe nga diplomatë.
Qeveria amerikane ka shprehur zhgënjimin nga “veprimet e njëanshme, të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës ndaj degëve të postës serbe në veri të Kosovës”./UBTNews/