UBT News

Stafi i OBSH-së ka abuzuar seksualisht me gratë e Kongos gjatë shpërthimit të ‘Ebolës’

Stafi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka qenë në mesin e 83 punëtorëve që kanë abuzuar seksualisht gra dhe vajza,  gjatë trajtimit të shpërthimit të Ebola në Republikën Demokratike të Kongos, ka thënë një raport.

Abuzimet, janë kryer nga punëtorët në periudhën 2018-2020.

BBC, shkruan se raporti është përpiluar pasi më shumë se 50 gra lokale kanë raportuar abuzime seksuale.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se kjo gjë është e “paarsyetueshme”, transmeton Ora News.

Raporti me 35 faqe është hartuar nga një komision i pavarur, pas kryerjes së hetimeve.

Komisioni, i cili ka intervistuar dhjetëra gra, të cilat kanë thënë se u është ofruar punë në këmbim të marrëdhënieve seksuale, ka gjetur se 21 nga 83 punonjësit kanë qenë të punësuar nga OBSH-ja.

Gratë gjithashtu dyshohet se janë dehur me pije, nëpër spitale,  dhe janë detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale.

Dy prej tyre kanë  mbetur shtatzënë.

OBSH-ja ka thënë se do të prishë kontratat e katër personave, të cilët ende janë punëtorë të Organizatës dhe ka premtuar se do të merren masa ndaj tyre.

Duke folur në një konferencë për media, Tedros u ka kërkuar falje viktimave dhe të mbijetuarave.

“Më vjen keq çfarë ju ka ndodhur juve nga njerëzit e OBSH-së, të cilët janë punësuar për t’ju shërbyer dhe mbrojtur juve”.

“Është prioriteti im që kryesit të mos arsyetohen, por të mbahen përgjegjës”.

Më shumë se 2,000 persona kanë vdekur si pasojë e shpërthimit të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos.

OBSH-ja, e cila ka bërë përpjekje globale për ta parandaluar përhapjen, e ka shpallur fundin e Ebolës në qershor të vitit të kaluar.

Exit mobile version