Olimpiada verore do të mbahet në Japoni dhe koha lokale e këtij vendi dallon shumë me atë tonën.
Për këtë, pjesa më e madhe e sportistëve kosovarë do të garojnë në orët e vona të natës ose në orët e hershme të mëngjesit me kohën tonë
Vendi ynë do të përfaqësohet në “Tokyo 2020” me 11 garues, shkruan Gazeta Express. Gjashtë prej tyre, pesë nga xhudoja dhe një nga mundja, kanë fituar norma olimpike, e pesë të tjerë do marrin pjesë me ftesa në këtë garë prestigjioze.
Pasi gara më e madhe e sportit botëror do të mbahet në Japoni, të gjithëve ju intereson periudha kur do të garojnë sportistët kosovarë. Xhudoja do të jetë sporti që do të fillojë në Olimpiadën e shtyrë për një vit shkaku i pandemisë. E para që do të garojë do të jetë Distria Krasniqi, në kategorinë deri në 48 kilogramë.
Disi do t’i nisë garat nga ora 4 e mëngjesit, me kohën lokale të Kosovës, respektivisht nga ora 11 paradite në Japoni. Më pas, Majlinda Kelmendi garon më 25 korrik, Nora dhe Akil Gjakova më 26 të këtij muaji dhe Loriana Kuka më 29 korrik. Të gjitha garat e xhudos do të fillojnë nga ora 4 e mëngjesit të kohës sonë.
Notarja Eda Zeqiri do ta provojë eksperiencën e jashtëzakonshme të Olimpiadës më 25 korrik nga ora 12:00 me kohën tonë. Në të njëjtën ditë do të garojë edhe shenjëtari Drilon Ibrahimi, por nga ora 2 e natës, gjithnjë me kohën tonë. Boksierja Donjeta Sadiku do të boksojë më 27 korrik dhe garat e boksit nisin në kohë të njëjtë, në orën 4 në mëngjes.
Në të njëjtën ditë, por disa orë më vonë, nga ora 12:00 e ditës do të garojë notari Olt Kondirolli.
Më 31 korrik nga ora 2 e natës, po ashtu me kohën tonë, do të garojë atleti Musa Hajdari.
Eksperiencën e garuesve kosovarë do ta mbyllë mundësi Egzon Shala, i cili do të garojë më 5 gusht nga ora 4 e mëngjesit.
Ndërsa ceremonia mbyllëse e Olimpiadës do të jetë më 8 gusht.
Garuesit e xhudos janë nisur dje për në Japoni, kurse pjesa tjetër e ekipit do të niset më 19 korrik e tutje. Kosova synon ta fitojë së paku një medalje në “Tokyo 2020”, njëjtë siç bëri në Olimpiadën e Rios në vitin 2016.