Sporti kosovar shënoi një vit të suksesshëm në aspektin financiar gjatë vitit 2025, me një rritje të ndjeshme të investimeve nga bizneset vendore, sipas raportit vjetor të sponsorizimeve të publikuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Sipas të dhënave, vlera totale e sponsorizimeve në sport në Kosovë ka arritur në 24,456,036.98 euro. Nga kjo shumë, 21.3 milionë euro janë dhënë klubeve sportive, ndërsa 2.73 milionë euro kanë përfunduar te federatat sportive,.raporton telegrafi.
Në krye të përfituesve institucionalë renditet Federata e Futbollit e Kosovës me 1,313,000 euro, e ndjekur nga klubet e basketbollit: KB Ylli me 1,242,000 euro, KB Trepça me 1,239,000 euro dhe KB Sigal Prishtina me 1,210,100 euro. Ndër përfituesit kryesorë janë edhe FC Prishtina, KF Ballkani dhe SC Gjilani, me shifra që variojnë nga 940 mijë deri mbi 860 mijë euro.

Sa i përket ndarjes sipas sporteve, futbolli mbetet dominues me mbi 9.14 milionë euro, i ndjekur nga basketbolli me 6.62 milionë euro, volejbolli me 1.40 milionë euro dhe hendbolli me rreth 947 mijë euro. Kjo tregon se sponsorët preferojnë sportet me audiencë më të gjerë dhe impakt më të madh në publik.
Në anën tjetër, lista e bizneseve më të mëdha sponsorizuese kryesohet nga Frutex me 727,000 euro, e ndjekur nga IPKO me 690,999 euro dhe Viva Fresh me 635,000 euro. Kontribute të rëndësishme kanë dhënë edhe banka dhe kompani të tjera vendore, duke investuar qindra mijëra euro në sportin kosovar.
Ky nivel i lartë investimi dëshmon se sponsorizimi është shndërruar në një mekanizëm kyç për funksionimin, profesionalizimin dhe zhvillimin e sportit në Kosovë. Raporti nënvizon gjithashtu nevojën për forcimin e kornizës ligjore dhe institucionale, në mënyrë që sistemi i sponsorizimeve të jetë më transparent, i drejtë dhe më efektiv për zhvillimin afatgjatë të sportit. /telegrafi/
