Miliona evropianë do të kenë mundësinë të ndjekin të mërkurën mbrëma eklipsin e parë të plotë diellor në Evropën kontinentale pas dy dekadash. Fenomeni astronomik do të jetë plotësisht i dukshëm në Spanjë, Portugali, Grenlandë dhe Islandë, ndërsa pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore do të përjetojë një eklips të pjesshëm.
Sipas platformës astronomike TimeandDate, qytetarët në Kosovë do të mund të vëzhgojnë fazën e pjesshme të këtij fenomeni, i cili do të nisë në orën 19:29. Kulmi do të arrihet në orën 19:38, moment kur Hëna do të mbulojë pjesën më të madhe të dukshme të Diellit. Vetëm tre minuta më vonë, në orën 19:41, Dielli do të perëndojë, ndërsa e gjithë faza e pjesshme do të përfundojë përfundimisht në orën 21:07. Sipas raportimeve të The Guardian, kulmi i eklipsit në Spanjë pritet mes orës 20:26 dhe 20:33, ndërsa në Londër do të regjistrohet në orën 19:13.
Për shkak se ky fenomen do të ndodhë shumë pranë horizontit, ekspertët sugjerojnë që vëzhgimi të bëhet nga pika të larta dhe zona pa pengesa, me pamje të hapur drejt perëndimit dhe veriperëndimit. Njëkohësisht, ata paralajmërojnë se shikimi i Diellit me sy të lirë është i dëmshëm. Në mungesë të syzeve mbrojtëse speciale, qytetarët mund të përdorin një kullesë kuzhine si projektor alternativ, duke reflektuar dritën dhe hijen e eklipsit mbi një sipërfaqe të letrës. /E.A/
