Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar mesin e muajit shtator për mbajtjen e seancave të deklaratave përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.
Sipas njoftimit të gjykatës, deklaratat përmbyllëse do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se, në periudhën nga prilli deri në nëntor të vitit 2023, kanë tentuar të ndikojnë te dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria në procesin gjyqësor për krime lufte kundër Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkaq, ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut është ngritur nga një akuzë për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe nga një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi më 27 shkurt, ndërsa Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave më 13 mars.
Ndërkohë, aktgjykimi në rastin kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pritet të shpallet më 16 shtator.
Ata akuzohen për vrasje, torturë, përndjekje dhe vepra të tjera që pretendohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm për veprat që lidhen me rreth 155 viktima.
Prokuroria ka kërkuar që secili prej tyre të shpallet fajtor dhe të dënohet me nga 45 vjet burgim.
Gjatë procesit, mbi 130 dëshmitarë kanë dëshmuar para trupit gjykues, ndërsa janë pranuar edhe 160 deklarata me shkrim të dëshmitarëve të tjerë. Gjyqi përfundoi në muajin shkurt, ndërsa të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga arrestimi i tyre në vitin 2020.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur reagime dhe kundërshtime në Kosovë, ku shumë e kanë cilësuar atë si të njëanshëm, duke argumentuar se nuk trajton krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar protesta dhe janë vendosur pankarta me mesazhin “Liria ka emër” në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë”, të mbajtur më 17 shkurt të këtij viti në Prishtinë.
D.L
