Qeveria e Spanjës vazhdon të jetë e bindur se finalja e Kupës së Botës 2030 duhet të zhvillohet në territorin spanjoll, pavarësisht raportimeve të fundit se FIFA ia ka premtuar Marokut organizimin e ndeshjes më të madhe të futbollit botëror.
Ministrja spanjolle e Sportit, Milagros Tolón, deklaroi se Spanja ka të gjitha arsyet për të pritur finalen, duke theksuar sukseset sportive dhe rolin udhëheqës që ka pasur në kandidaturën për organizimin e turneut.
“Jemi kampionë në fuqi të botës si te meshkujt, ashtu edhe te femrat. Spanja dhe Portugalia ishin vendet që udhëhoqën ofertën për Kupën e Botës 2030, ndërsa Maroku iu bashkua më vonë. Kemi shumë përparësi dhe pika të forta si vend”, u shpreh Tolón.
Kupa e Botës 2030 do të organizohet bashkërisht nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa gara për të pritur finalen mbetet ende e hapur.
Maroku synon që finalja të zhvillohet në stadiumin e ri “King Hassan II”, pranë Kasablankës, i cili pritet të ketë një kapacitet prej rreth 115 mijë spektatorësh. Në anën tjetër, Spanja ka propozuar dy arena ikonike për këtë ndeshje – “Santiago Bernabéu” në Madrid dhe “Camp Nou” në Barcelonë.
Reagimi i ministres spanjolle erdhi pas raportimeve se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ia kishte premtuar Marokut organizimin e finales. Megjithatë, FIFA i ka mohuar këto pretendime.
“Gjëja më e rëndësishme është që FIFA tashmë e ka mohuar këtë. Ne po punojmë ngushtë me FIFA-n dhe kemi takimin e radhës në shtator. Nga FIFA kanë qenë të qartë në mohimin e këtij lajmi. Do të vazhdojmë punën, sepse duam dhe besojmë se finalja e Botërorit duhet të zhvillohet në Spanjë”, përfundoi Tolón.
D.L
