UBT News

Spanja mposht Perunë dhe mbyll me fitore përgatitjet për Botërorin 2026

Kombëtarja e Spanjës ka përmbyllur me sukses fazën përgatitore para nisjes së Kupës së Botës 2026, duke triumfuar me rezultat 3:1 ndaj Perusë në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Puebla të Meksikës.

Pavarësisht mungesave të rëndësishme në repartin ofensiv, skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente tregoi cilësi dhe dominim, duke siguruar një fitore bindëse vetëm pak ditë para debutimit në Botëror.

Spanja kaloi në epërsi që në minutën e dytë falë golit të Mikel Oyarzabal, ndërsa Pedri dyfishoi rezultatin pas gjysmë ore lojë. Goli i tretë erdhi si pasojë e një autogoli të portierit peruan Pedro Gallese, duke i dhënë “La Rojas” avantazhin 3:0. Peruja arriti të ngushtojë rezultatin në pjesën e dytë, por pa rrezikuar fitoren e spanjollëve.

Në këtë ndeshje munguan disa prej emrave më të rëndësishëm të ekipit, përfshirë Lamine Yamal, Nico Williams dhe Victor Munoz, të cilët po rikuperohen nga lëndimet dhe mbetën në qendrën stërvitore të kombëtares në Tennessee.

Megjithatë, selektori Luis de la Fuente është optimist se të tre lojtarët do të jenë të gatshëm për ndeshjen hapëse të Spanjës në Kupën e Botës, kundër Kepit të Gjelbër, e cila do të zhvillohet më 15 qershor në Atlanta.

Edhe pse prania e tyre do të ishte një shtysë e madhe për ekipin, paraqitja ndaj Perusë tregoi se Spanja disponon një skuadër të thellë dhe me alternativa të shumta, duke e konfirmuar statusin e saj si një nga pretendentet për sukses në Botërorin 2026.

D.L

Exit mobile version