UBT News

Spanja–Belgjika, beteja që ndal frymën në Botëror

Kupa e Botës 2026 vazhdon të dhurojë emocione, ndërsa sonte vëmendja e gjithë botës së futbollit do të jetë e përqendruar te superpërballja mes Spanjës dhe Belgjikës, një duel që shumë e cilësojnë si “finale para finales”.

Dy nga kombëtaret më cilësore të turneut do të zbresin në fushë në orën 21:00, me vetëm një objektiv: sigurimin e një vendi në gjysmëfinale.

Spanja vjen në këtë sfidë me moral të lartë, pasi eliminoi Portugalinë me një fitore minimale 1-0, duke dëshmuar edhe një herë forcën dhe organizimin e saj. Në anën tjetër, Belgjika dha një sinjal të qartë për rivalët, duke shkatërruar Shtetet e Bashkuara me rezultatin bindës 4-1.

Përballja pritet të jetë një betejë taktike mes dy skuadrave të mbushura me yje, ku çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë. Ritëm i lartë, duele të forta dhe futboll spektakolar janë elementet që premtojnë një nga ndeshjet më të bukura të këtij Botërori.

Fituesi i këtij dueli do të përballet në gjysmëfinale me Francën, e cila tashmë ka siguruar kualifikimin, duke e bërë edhe më të madhe peshën e kësaj sfide.

Gjithçka është gati për 90 minuta që premtojnë spektakël. Mbetet të shihet nëse do të festojë “Furia e Kuqe” apo “Djajtë e Kuq” belgë.

D.L

Exit mobile version