Juventus FC ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin Luciano Spalletti deri më 30 qershor 2028, duke i dhënë stabilitet projektit afatgjatë të klubit torinez.
Lajmi është bërë i ditur të premten nga drejtuesit e klubit, ku shefi ekzekutiv Damien Comolli ka theksuar rëndësinë e këtij vendimi. Sipas tij, Spalletti ka pasur ndikim të menjëhershëm pozitiv te skuadra, klubi dhe komuniteti, duke dëshmuar se është personi i duhur për të udhëhequr Juventusin drejt objektivave të mëdha. Ai shtoi se stili ambicioz i lojës dhe vlerat e trajnerit përputhen plotësisht me identitetin e klubit dhe pritjet e tifozëve.
Spalletti, një nga emrat më të njohur të futbollit italian, mori drejtimin e Juventusit më 30 tetor të vitit të kaluar, duke zëvendësuar Igor Tudor. Më herët ai ka drejtuar edhe kombëtaren e Italisë, si dhe klube të mëdha si Napoli, Inter, Roma dhe Zenit St. Petersburg, duke ndërtuar një karrierë të pasur në Itali dhe jashtë saj.
Trajneri 67-vjeçar u ka komunikuar fillimisht vendimin lojtarëve, duke theksuar se skuadrën e presin sfida të rëndësishme, por ai mbetet i bindur në potencialin e grupit për të arritur suksese. Nën drejtimin e tij, Juventusi ka regjistruar 17 fitore në 31 ndeshje, me gjashtë humbje dhe tetë barazime.
Ndërkohë, situata e Edon Zhegrova mbetet e paqartë. Sulmuesi kosovar nuk po gjen hapësirë të mjaftueshme në formacion, pasi Spalletti, ashtu si edhe paraardhësi i tij, po e lë kryesisht në stol, duke ngritur pikëpyetje për rolin e tij në të ardhmen te “Zonja e Vjetër”.
