Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka vlerësuar lart cilësitë e futbollistit kosovar, Edon Zhegrova, duke e cilësuar atë si një lojtar të jashtëzakonshëm, me aftësi të rralla individuale.
Zhegrova ishte ndër protagonistët e fitores 4:0 të Juventusit ndaj Venezias, në një ndeshje ku asistoi dhe për herë të parë luajti të gjitha 90 minutat.
Pas përfundimit të takimit, Spalletti nuk i kurseu komplimentet për përfaqësuesin e Kosovës, duke theksuar aftësinë e tij për të krijuar situata të paparashikueshme në fushë.
“Zhegrova është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ndonjëherë bën gjëra që as vetë nuk mund ta shpjegojë se si ia del t’i realizojë. Ka një prekje gjeniale dhe një këmbë të majtë shkatërruese. Kur gjithçka duket e mbyllur, ai gjen diçka krejtësisht të paparashikueshme”, deklaroi Spalletti.
Megjithatë, tekniku italian vuri në pah edhe disa aspekte ku pret përmirësim nga Zhegrova, veçanërisht në vazhdimësinë dhe përqendrimin gjatë lojës.
Sipas tij, humbjet e topit në momente të caktuara mund ta ekspozojnë skuadrën ndaj kundërsulmeve, ndaj kërkon më shumë qëndrueshmëri nga sulmuesi kosovar.
Ndërkohë, Juventusi gjatë mesjavës do të zhvillojë ndeshjen e radhës në Ligën e Evropës, ku Zhegrova nuk do të jetë pjesë e skuadrës, pasi nuk është i përfshirë në listën e lojtarëve të regjistruar për këtë garë.
D.L
