Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ka vendosur sot sekuestrimin e disa pasurive të deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi. Ky veprim u realizua pas kërkesës së SPAK, duke përfshirë dy vila të ndodhura në zonën e Selitës në Tiranë, të cilat kanë një sipërfaqe totale prej 898 m².
Sekuestrimi u zbatua nga policia gjyqësore më datat 19 dhe 20 Nëntor 2024, duke bllokuar pasuritë në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe duke komunikuar vendimin përkatës me pronarët e pasurive. Dy vilat janë të ndara midis Monika Kryemadhit dhe nënës së saj, me sipërfaqe të njëjtë prej 448.9 m² për secilën, dhe ndodhen në një kompleks rezidencial në “Kodra e Diellit”.
Deputetja Monika Kryemadhi ndodhet aktualisht nën masën e detyrimit për t’u paraqitur pas hetimeve për disa vepra penale, përfshirë “Korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, dhe “Refuzimin për deklarim të pasurisë”. Ajo po hetohet nga SPAK, së bashku me ish-presidentin Ilir Meta, për dy raste të ndara korrupsioni dhe pastrim parash.
Prokurorët e Posaçëm kanë argumentuar se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, Kryemadhi dhe Meta kanë abuzuar me pushtetin, duke favorizuar individët e tyre dhe duke përfituar vlera monetare për këtë favorizim. Hetimet, që përfshijnë edhe dy persona të tjerë, Piro Xhixho dhe Ema Çoku, janë në lidhje me disa afera korruptive, përfshirë procesin e privatizimit të ndërmarrjes ÇEZ-DIA dhe pagesat për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
SPAK ka ngritur akuza të tjera se Meta dhe Kryemadhi kanë përdorur ndikimin e tyre për të futur kompani të lidhura me to në tregun e fibrave optike dhe për të përfituar përqindje nga fitimet e këtyre kompanive. Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar se ata nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore për një periudhë të gjatë, të cilat arrijnë në një vlerë prej 106 mijë eurosh.
Në lidhje me sekuestrimin e pasurive, GJKKO ka konfirmuar se janë vendosur masa të sigurisë për dy prona në pronësi të Fatime Kryemadhit dhe Monika Kryemadhit. Detajet e pasurive të sekuestruara përfshijnë dy ndërrtesa të ndara, me sipërfaqe të ndryshme në katet e tyre, përfshirë banesa dhe verandë, të gjitha ndodhur në rezidencën “Kodra e Diellit”.
Ky vendim i Gjykatës së Posaçme vjen në vijim të hetimeve të SPAK dhe ka për qëllim mbledhjen e më shumë provave për të vazhduar hetimet mbi veprimtarinë e dyshuar të Kryemadhit, Metës dhe bashkëpunëtorëve të tjerë. Hetimet janë ende në vazhdim e sipër, për të përcaktuar përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këto aktivitete kriminale./UBTNews/